Ka mbërritur në ambientet e SPAK mëngjesin e sotëm ish-zv.kryetari i bashkisë Kukës Granit Gjana. Ai do të njihet me masën e sigurisë pasi është nën hetim për abuzim me tenderat.

Pezullimi i tij nga detyra si Prefekt i Kukësit u njoftua ditën e mërkurë, pasi ai akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”. Mësohet se ishte ai që dha dorëheqje nga posti pranë ministrit të Brendshëm Taulant Balla.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjana në cilësinë e zv/kryetarit të bashkisë, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj. Halilaj u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.