Një sërë kontrollesh në disa zyra vendore të regjistrimit të pasurive kanë nxjerrë në pah një sërë abuzimesh.
Kreu i zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elion Semanaj tha madje se në një rast të dokumentuar, një 10 vjeçar ka përfituar tokë bujqësore.
“Njësia Vendore ka plotësuar dhe konfirmuar AMTP për një person i cili ka qenë minoren në momentin e përfitimit të tokës bujqësore në bazë të ligjit 7501. I gjithë dokumentacioni është përcjellë si i rregullt nga Njësia Vendore drejt Zyrës Vendore të Regjistrimit, gjë që bie në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Kështu ky minoren ka përfituar tokë bujqësore në familjen e babait të tij, por ka përfituar edhe AMTP të vetën personale si kryefamiljar kur në fakt ishte vetëm 10 vjeç, në kundërshtim të hapur me ligjin”, shprehet Semanaj.





