Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për ish-kreun e ARRSH, Dashamir Xhika, zv/drejtorin Andi Toma, dhe mbikqyrësin e punimeve Rexhep Tarba.

Tre shtetasit e lart përmendur, akuzohen për "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion" me tenderin e aksit rrugor Elbasan-Gjinar. Ndërkohë për Agron Hysën, Kujtim Hysën dhe Rezarta Bokçiun u vendos detyrim paraqitje. 

Kallëzimi për abuzime ndaj Dashamir Xhikës dhe dy zyrtareve te tjere u bë nga prokuroria e Elbasanit, konkretisht shpërdorim fondesh në ndërtimin e aksit rrugor Tiranë-Elbasan, më saktësisht në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat e rrugës së Gjinarit kanë nisur që në vitin 2009. Sipas prokurorisë ata i shkaktuan një dëm shtetit prej 5.3 miliardë lekësh pasi abuzuan me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar.

"Dashamir Xhika, i cili ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së në periudhën tetor 2013-shtator 2017, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Shpërdorim të detyrës’ të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal", thuhej në urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata për ish-kreun e ARRSH më 1 shkurt.