Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dënuar ne 1 vit burg ish-prefektin e Kukësit, Granit Gjana për abuzimin me 2 tenderët e naftës, ndërsa dënimi do t’i konvertohet në 2 vite shërbim prove.

Gjithashtu për një periudhë 5-vjeçare atij nuk do t’i lejohet që të ushtrojë funksione publike.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal”. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 71, datë 27.11.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Granit Gjana, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 paragrafi i dytë i Kodit Penal, (për procedurën e prokurimit me nr. REF-56811-01-24-2023, me objekt “Blerje karburanti”) dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Granit Gjana, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 paragrafi i dytë i Kodit Penal, (për procedurën e prokurimit me nr. REF-70621-05-25-2023, ne objekt “Blerje karburani”) dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit Granit Gjana me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

4. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Granit Gjana me 1 (një) vit burgim.

5. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Granit Gjana për një periudhë prej 2 (dy) vitesh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

6. Urdhërohet i pandehuri Granit Gjana të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës Tiranë dhe të mos marrë kontakt me persona të dënuar.

7. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Granit Gjana për 5 (pesë) vjet.

8. Në bazë të neneve 261 pika 1 gërma “b” dhe 389 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, tëcaktuar ndaj shtetasit Granit Gjana me Vendimin nr. 133, datë 01.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

9. Në lidhje me provat materiale, Gjykata disponon në mbështetje të nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale, si më poshtë: – Provat materiale të sekuestruara sipas procesverbaleve të sekuestrimit datë 12.07.2023, që kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit me nr. REF-56811-01- 24-2023 dhe nr. REF-70621-05-25-2023, t’i kthehen autoritetit kontraktor, Bashkia Kukës. – 1 (një) CD me materialet e përgjimit të qëndrojnë në fashikullin e gjykimit.

10. Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, në masën **** lek, gjatë seancës paraprake dhe gjatë gjykimit (sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi), i ngarkohen të pandehurit.

11. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të ekzekutojë këtë vendim.

12. Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.