Task-Forca e Bashkisë së Tiranës ka vijuar edhe sot inspektimet në tregjet e kryeqytetit, për t’i prerë rrugën abuzimit me çmimet. Gjatë inspektimeve në tregun e ish – uzinës “Dinamo”, zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës Petrit Vasili tha se situata vazhdon të mbetet në parametra normalë. 

“Sot janë riverifikuar dy raste të shkëputura, me një luhatje të lehtë çmimi, e cila është rikthyer në normalitet. Gjithsesi, do të doja të bëja me dije që i tërë grupi ynë i inspektimit, përfshirë këtu të gjithë komponentët që e përbëjnë do të veprojnë në këto pak ditë që kanë mbetur, deri në mbylljen e festave, me shumë ashpërsi për këdo që do të tentojë të ndërmarrë veprime të karakterit spekulativ dhe sigurisht që një veprim spekulativ me çmimin do të thotë edhe fshehje nga fitimet që krijohen dhe janë jashtë syve të publikut, ndaj edhe për këtë gjë do të veprohet shumë rreptë, duke sekuestruar edhe mallin e kujtdo që tenton të bëjë një veprim të tillë, pasi sigurisht kërkon të fshehë edhe fitimet, edhe paligjshmërinë e tyre”. u shpreh Vasili