Policia ka arrestuar një tjetër zyrtar të Bashkisë së Rrogozhinës të përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Spillesë. Në pranga ka rënë kryeinspektori i bashkisë, Artur Tosku, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
Tosku ishte shpallur në kërkim nga policia që prej fillimit të këtij viti, kur u godit grupi kriminal i abuzimit me pronën publike.
Në atë kohë, policia vuri në pranga disa zyrtarë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshim e zërit kadastral për një sipërfaqe prej 110.000 m² tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë dhe në fshatrat përreth, duke e tjetërsuar nga “tokë pa frut” në “tokë arë” dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundërligjshme të kësaj siperfaqe toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë.





