Ish-nënkryetari i Bashkisë së Librazhdit, Andri Çota është arrestuar ditën e sotme nga Policia.

Bëhet me dije se ai ka rënë në pranga pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, duke abuzuar me fondet e klubit sportiv, si dhe duke shkaktuar dëm ekonomik, gjatë kohës që ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë.

Ndërkohë, gjykata më datë 21.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për ish-nënkryetarin Çota.

“Në vijim të punës operacionale hetimore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të shpërdorimit të detyres, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, pas një muaji hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë  së Elbasanit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Loading”.

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi A. Ç., 37 vjeç, banues në Librazhd.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, më datë 21.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia.