Një 27-vjeçar shqiptar po hetohet nga autoritetet italiane për një ngjarje të rëndë. Emri i tij nuk bëhet i ditur, por mediat shkruajnë se dyshohet se ai ka sulmuar seksualisht dy herë një 23-vjeçare të huaj në Rimini. Ngjarja ka ndodhur para Vitit të Ri dhe raportohet se e reja, nënë e një fëmije është përdhunuar dy herë në një hotel ku po qëndronte.

Sipas asaj që ka pretenduar viktima, ajo po qëndronte bashkë me partnerin dhe vajzën e tyre prej disa muajsh në hotelin në fjalë. Aty janë njohur me shqiptarin i cili shkonte në të njëjtin vend pasi po i qëndronin në hotel disa të afërm.

Sipas asaj që shkruan “Rimini Today”, episodi i parë i abuzimit seksual ka ndodhur më 27 Dhjetor. Shqiptari dyshohet se e ka çuar vajzën në një dhomë të boshatisur dhe pasi ka fikur dritat i ka vendosur një pistoletë në kokë duke e detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale me të. “Nëse flet, do të të vras ty, më pas partnerin dhe vajzën tënde”, thuhet se e ka kërcënuar ai të renë.

Të nesërmen, autori i dyshuar mendohet se ka shkuar sërish që të kryejë marrëdhënie pa dëshirën e saj teksa mbante edhe fëmijën në krah.

“Nëse nuk flet, do të të jap dokumente për të qëndruar në Itali dhe para”, mendohet se i ka thënë ai nënës së re. Më 30 Dhjetor dyshohet se ai tentoi sërish ta sulmonte, por këtë herë ajo ishte në prezencën partnerit.

23-vjeçarja nuk e ka mbajtur më me vete barrën e kësaj situate dhe mes lotësh i ka treguar partnerit se çfarë kishte kaluar. Më 2 Janar ata i janë drejtuar policisë dhe aty, e reja ka njohur 27-vjeçarin shqiptar si autor të dyshuar të përdhunimit të saj. Ai është person i njohur për policinë pasi ka precedentë të mëparshëm penalë.