Pavarësisht aksionit që ka ndërmarrë qeveria, ka ende në qarkullim pika karburantesh të cilat abuzojnë me cilësinë. “Shqiptarja.com” shkruan se Inspektorati Shtetëror Teknik ka gjetur me përmbajtje tej normave të lejuara të squfurit dhe pikës së flakërimit, disa karburante në të gjithë vendin.
Bëhet fjalë për 13 pika karburantesh, të cilat nuk kanë cilësinë e kërkuar nga ligjet shqiptare, 12 pika të tjera që nuk kanë pasur dokumentacionin e kërkuar dhe kanë ndërhyrë te pajisjet që hidhet nafta, benzina ose gazi. Gjithashtu është bërë 1 propozim për heqje licence. Të gjitha këto gjoba janë vendosur në muajin dhjetor 2015.
Masa e gjobave varion nga 100 mijë deri në 2 milionë lekë të rinj. Konkretisht, nga 10 karburantet të cilat kanë abuzuar me cilësinë, 9 prej tyre u është vendosur gjobë 2 milionë lekë të rinj, ndërsa për një është vendosur masë e përkohshme për heqje licence. Gjobat e tjera variojnë sipas llojit të shkeljeve ku bien në sy një gjobë 1 milionë e 700 mijë lekë si dhe dy të tjera 1.5 milionë lekë. Për katër karburante që është bazuar me cilësinë mbi normat e lejuara dhe kanë ndërhyrë te pajisjet është marrë masë “Akt bllokimi”.





