Forca të shumta policie janë paraqitur në qendrat e votimit te shkolla “Neim Babameto” në Durrës, pas acarimit të situatës kur në ambientet e votimit po qëndronte kryetarja e komunës nr. 4 Davide Ndoj.
Procesi i votimit u ndërpre për rreth 30 minuta, ndërsa pati përplasje mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste.
Policia njofton se rreth orës 10:30, Komisioni i Qendrës së Votimit 1428-2, KZAZ Nr. 24, Durrës, bazuar në urdhrin nr. 62, të datës 03.05.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me vendimin numër 13, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar disa shtetas të paautorizuar që qëndronin në këtë Qendër Votimi dhe rrezikonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e vendimit, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi dhe kanë larguar nga ambientet e kësaj Qendre, personat e paautorizuar dhe ata që pengonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
Më herët në mëngjes, Partia Demokratike Durrës denoncoi parregullsi dhe presione në qendrat e votimit te shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”.
Sipas PD-së, drejtori i AKU-së, Roni Shqopa ushtronte presion brenda QV-ve, ndërsa Policia e Shtetit nuk reagon.





