Nga Gladiola  Busulla

DURRËS, 7 dhjetor 2014 –  Profil Qytetar: Ada Spiru, Drejtore ekzekutive e “Shoqatës për mbrojtjen e vlerave të Durrësit”

Cila është Ada Spiru, përveç se drejtorja ekzekutive e “Shoqatës për mbrojtjen e vlerave të Durrësit”? Më përshkruani shkurtimisht rrugëtimin tuaj.

Dua të shpreh në radhë të parë falenderimet e mia të përzemërta ndaj gazetës suaj dhe përkushtimit të përditshëm që tregoni në pasqyrimin e ngjarjeve dhe çështjeve të jetës së qytetit tonë.

Kam lindur në Durrës në një nga lagjet më të vjetra të qytetit, të quajtura Varosh në vitin 1983 ku ende banoj dhe sot, aty ku ndodhet shtëpia e stërgjyshërve të mi. E lindur nga një familje e vjetër tregtare dhe intelektuale me ndjenja të forta atdhetarizmi, ku dashuria për letërsinë dhe historinë, për qytetin dhe banorët e saj më është gdhendur në shpirt që në moshë fare të vogël nga gjyshi im Jorgji (Gaqo) Spiru, i cili si një qytetar i vjetër durrsak e ndjente veten të obliguar ndaj qytetit të tij. Si aktor dhe më pas si drejtues i Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe institucioneve të tjera të qytetit, ai ka mbetur në kujtesën e durrsakëve dhe artdashësve shqiptarë. Jeta dhe veprimtaria e tij më ka ispiruar që në moshë të vogël duke dashur t’a çoj përpara figurën dhe ndjeshmërinë e tij qytetare e sociale. Besidat me të i kujtoj me mall edhe sot që ai nuk është më mes nesh. 

Kështu nis jeta ime fëmijërore, me vlerësimin për dijen dhe ndjenjën e përkushtimit dhe obligimit që duhet të ketë në ndërgjegjen e tij çdo qytetar për ta merituar të vetëquhet durrsak.

Si shumë studentë të fillimit të viteve të mijëvjecarit të dytë edhe unë zgjodha të sdudiojë jashtë vendit. Në Milano të Italisë studiojë në Fakultetin e Shkencave bankare, financiare dhe sigurimeve për Ekonomi dhe tregjet financiare në një nga universitetet private më prestigjoze, Universitá Cattolica del Sacro Cuore di Milano. Vitet në kolegjin femëror katolik larg atdheut tim do të bënin të kuptoja më mirë shumë gjëra mbi ato që më parë vetëm kisha dëgjuar të më tregonin apo t’i lexoja për atdhedashurinë. Ndonëse e rrethuar në çdo çast të jetës sime studentore nga shumë e shumë miq të dashur, një pjesë e imja dhe e kujtimeve të mia ndodhej larg, në Shqipëri. Në vitin 2008 kthehem në Shqipëri ku dhe përfundoj studimet në Fakultetin e Shkencave Ekonomi dhe Politike në Ekonomi dhe administrim biznesi, në Universitetin Katolik Zonja e këshillit të mirë në Tiranë. Në Fakultetin e ekonomisë do t’më tërhiqte gjithnjë aspekti social-politik i shkencave ekonomike. Kështu diplomohem në lëndën e Shkencave Financiare dhe Ekonomi tributare me rezultatin 9.8 dhe më pas në Masterin Shkencor mbi Rritjen dhe zhvillimin ekonimik me rezultatin maksimal po në të njëjtin universitet. Aktualisht punoj si ekonomiste në firmën më prestigjoze në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri, “Kastrati Group”.

Edhe pse me natyrën time të qetë e të çiltër kam arritur gjithmonë të shquhem në rrethin shoqëror. Më kujtohet kur në universitetin e Milanos isha e vetmja studente e grupit tim, me mbi 200 studentë, të cilën profesorët sa herë e shihnin e përshëndetnin përzemërsisht, mbase sepse mund të isha edhe studentja e vetme në botë që refuzonte notën 10 (qesh) për të marrë bashkë me 10-ën edhe “lode” (në shqip lëvdatë). Të jesh i bindur në atë që duhet bërë dhe të besosh në afësitë tua e kam parë gjithnjë si virtyt i njerëzve që arrijnë me veprën e tyre të bëjnë ndryshimin. Ka qenë pikërisht kjo bindje dhe ky besim që më kanë motivuar për t’u renditur ndër themeltarët e parë të “Shoqatës për mbrojtjen e vlerave të Durrësit”. Emergjenca për të krijuar një institucion ligjor të qytetarëve dhe për qytetarët durrsakë ndërkohë që qyteti vazhdon e rënkon në agoni ishte e qartë dhe e domosdoshme.

Sipas jush, përse i nevojitet kjo shoqatë qytetit?

Durrësi me një histori të krahasushme me atë të qyteteve më të mëdhenj të Mesdheut antik dhe Mesdhetar ka qenë dhe është krenaria ime familjare. Bukuritë e tij të shumta kanë tërhequr vazhdimisht banorë të rinj, por edhe njerëz të cilët janë munduar të nxjerrin përfitime në kurriz të tij e të komunitetit që e përbën atë.  E them me keqardhje se vitet e stërzgjatura të tranzicionit e kanë shpërfytyruar keqas qytetin tonë. Ndërtimet pa një plan të qartë zhvillimi urban, betonizimi i plazhit të vjetër karakteristik durrsak si dhe dëmet ekologjike e mjedisore që pasojnë këto veprime, zënia e shesheve dhe mjediseve publike të pakta të mbetura, zhdukja e vlerave të shumta të antikitetit e të tjera si këto më shtynë mua dhe shumë miq të mi të ngremë zërin e revoltuar të shqetësimit qytetar. 

Këto fenomene, që nuk janë gjë tjetër veçse shprehje barbare dhe etje për fitime të menjëhershme, mua dhe shumë durrsakve nuk mund të na linin indiferentë. Kështu në muajin gusht unë sëbashku me miqtë e mi Teuta Kalakula dhe Bashkim Kadiu ndërmorëm një fushatë të gjerë sensibilizuese të opiniotit durrsak për të mos lejuar prishjen e shatërvanit karateristik në qendër të qytetit. Atë shatërvan që simbolizon shumëçka nga historia e Durrësit gjatë shek. XX, e ndërtuan me kursimet e tyre tregtarët dhe intelektualët durrsakë në vitin 1928, ndërsa pushtetarë të papërgjegjshëm dhe pa sensibilitet durrsak kishin bërë në plan ta fshinin nga kujtimet dhe fizionomia e qytetit. Ishte kjo një fatkeqësi e rradhës që po i ndodhte vlerave tona historike dhe kulturore, me përbuzje e aspak respekt për sakrificën e paraardhësve tanë! 

Ndonësë nuk mundëm ta ndalnim prishjen e këtij objekti, pasi çdo ditë përballemi me veprimet arbitrare të pushtetarit vendor, nuk u dekurajuam, përkundrazi kuptuam më mirë rëndësinë jetike që kishte për qytetitin krijimi i një organizmi që do të amplifikonte zërin qytetar për të kundërshtuar akoma me më tepër forcë arbitraritetin politik dhe masakrat urbane pa limite e pa kufi. Për këtë arsye në shtator, qytetarët durrsakë vendosën të krijojnë “Shoqatën për mbrojtjen e vlerave të Durrësit”.

Cilat janë motivet që ju shtyjnë t’i kushtoni një pjesë të konsiderueshme të kohës dhe energjive tuaja një veprimtarie impenjative socio-politike?

Pa dyshim që në jetë udhëheqin prioritetet. Por qytetet duhen përfytyruar  si njerëzit; nëse nuk kujdesesh për ta trupi i tyre fillon të degradojë, po ashtu dhe kujtesa. Këtij qyteti dhe mbrojtjes së vlerave të tij nuk i nevojitet vetëm një shoqatë, por shumë më shumë. Fati dhe e ardhmja e qytetit janë të lidhura pazgjithshmërisht me të ardhmen e secilit nga ne. Nëse ndërgjegjësohemi për rëndësinë e këtij fakti është e nevoshjme që secili t’i përkushtojë kohën e duhur dhe energji nga të tijat qytetit me të cilin bashkëjeton. 

Ndjeshmëria për çështje sociale që interesojnë mbarë shoqërinë ku jetojmë është e ndryshme nga një individ në tjetrin, kështu që përhapja e frymës së bashkëpunimit qytetar në ndihmë të një zhvillimi evropian perëndimor për qytetin dhe lartësimi i indentitetit të kulturës dhe historisë sonë qytetare, shndërrohen në objektiva të një rëndësie të veçantë.  Në të tilla kushte ku keqadministrimi i qytetit për një dekadë të tërë po i rrezikon atij të ardhmen duke i zhdukur rrënjët historike dhe varfëruar të tashmen, kërkon një reagim të fortë qytetar për t’u bërë faktorë e jo thjeshtë aktorë të fateve tona.

Menaxhimi dashakeqës që i është bërë qytetit i ka bërë qytetarët e tij të mos identifikohen dot më me të. Unë dhe shumë moshatarë të mi e ndjejmë dhe e përjetojmë çdo ditë këtë krizë identiteti që do të ketë jo pak pasoja për brezat e ardhshëm nëse nuk ndëshkojmë në kohë këtë model qeverisje vendor nga individë të cilët nuk ndjejnë sado pak dashuri për Durrësin 3000 vjeçar, por e kanë shndërruar atë në një minierë ari për bizneset e tyre dhe klientelën pushtetare.

Keni ndonjë aktivist/e që ju frymëzon apo të cilit/ës i referoheni në veçanti?

Më shumë se çdokush mua më frymëzojnë njerëzit e zakonshëm, qytetarët e thjeshtë të Durrësit që janë dhe mbeten vetvetja, që nuk dinë të shtiren dhe ta kthjenë punën në interes mbi kurriz të shoqërisë. Bashkëqytetarët e mi që dinë të reflektojnë çdo ditë mirësi, paqe dhe humanizëm, janë ata tek të cilët gjej modelet e përsosmërisë së mendimit dhe të sjelljes, të cilët vazhdojnë të krijojnë tek unë shembuj dhe alternativa të veprimit. 

Cilat janë pengesat më të mëdha që hasni në iniciativat që ndërmerrni si shoqatë, pasi durrsakët shpeshherë përkufizohen si njerëz me “natyrë indiferente” që parapëlqejnë të mospërfshihen në nisma apo kauza të ndryshme. Sa ju penalizon ky fakt në punën tuaj?

Më lejoni të shpreh mosdakortësinë time me konsatimin tuaj, sepse nuk duhet ngatërruar sjellja e urtë dhe fisnike qytetare me të ashtuquajturin indiferentizëm. Opinioni qytetar është treguar përherë i ndjeshëm ndaj masakrave të njëpasnjëshme që i janë bërë traditave dhe kulturës sonë në përgjithësi, gjë të cilën e vërej në çdo takim që zhvilloj me ta. Qytetarët durrsakë gjykojnë në heshtje dhe dinë të dënojnë më rëndë se ç’mund të dënoj një ligj, nëse ndaj tyre nuk tregohet respekti i merituar. Njoh shumë shembuj të atyre që sapo thashë. Përgjigja më e mirë është zëri i protestave paqësore dhe i peticionit qytetar kundër prishjes së shatërvanit. Secili prej atyre 7 mijë qytetarëve ishte i gatshëm jo vetëm të firmoste por edhe të kontribuonte me çka mundej për çshtjen në fjalë. Sepse një popull me tradita dhe kulturë të hershme, vetëm këtë rrugë mund të zgjedhë për të shprehur interesimin apo shqetësimin e tij.   E them me kënaqësi se kanë qenë përtej çdo pritshmërie, eventet dhe takimet e organizuara nga shoqata vetëm në dy muajt e parë të krijimit të saj. Rradhiten ndër anëtarët më se 200 qytetarë të thjeshtë dhe profesionistë intelektualë të shquar në rang kombëtarë për dijet dhe kontributin e tyre në shoqëri. Ndoshta ka ardhur momenti të rrëzohet miti i shumëpërfolur i durrsakëve indiferentë!

Në mbyllje, ç’risi synon t’i sjellë shoqata juaj qytetit të Durrësit?

Jemi mësuar të dëgjojmë shpesh për shoqata apo organizata të ndryshme të cilat në emër të mbrojtjes së vlerave të qytetit mbledhin donacione të shumta për t’a reduktuar më pas punën e tyre vetëm në mbjelljen e një rrënje ulliri, të cilën unë personalisht nuk e kuptoj se çfarë e lidh me traditat e qytetit tonë. 

Risitë ne duhet t’i krijojmë në mënyrën tonë të punës, të bashkëpunimit me komunitetin për t'u bërë zëri i tij, të mbrojtjes së vlerave të shkuara dhe evidentimin e atyre prezente, të cilat nuk duhet të ecin në dy rrugë paralele që nuk puqen kurrë, por duhet të përbëjnë një konglomerat të së shkuarës me të tashmen për ta forcuar akoma më shumë identitetin tonë dhe të mund të shkojmë drejt një të ardhmeje të qartë dhe shpresëdhënëse.