LONDER – Revista amerikane "Billboard" e ka shpallur artiste të vitit këngëtaren Adele, ndërsa albumi i saj "21" është shpallur albumi më i mirë për vitin 2012.
Siç raporton televizioni britanik BBC, 24-vjeçarja është këngëtarja e parë që do të marrë këto çmime për dy vjet rresht. Adele është shpallur edhe si këngëtarja më e mirë, ndërsa hip-hop këngëtari Drake është artisti më i mirë mashkull.
Anëtarët e bendit "One Direction" janë shpallur si artistët më të mirë të rinj, ndërsa "Maroon 5" janë bendi më i mirë i vitit 2012. Adele këtë vit ka fituar gjashtë çmime “Grammy” dhe ka dominuar në top-listat amerikane. Albumi i saj i dytë, "21", i cili u lansua në muajin mars të vitit 2011, menjëherë ka zënë vendin e parë për shitje dhe në top dhjetëshen e albumeve më të shitura ka mbetur deri në shtator të këtij viti. Prej kësaj kohe për 24 javë rresht ishte në vendin e parë.
Tri këngët kryesore për këtë vit ishin: “Somebody That I Used to Know” i Gotye, "Call Me Maybe" e Carly Rae Jepsen si dhe "We are Young" i bendit "Fun".