MAQEDONI, 27 prill 2013 – Është një nga këngëtaret më të preferuara në tregun muzikor të shqiptarëve të Maqedonisë dhe sigurisht interesimi i mediave për të mësuar më shumë mbi jetën e saj private është i madh. Por këngëtarja Adelina Tahiri ka rrëfyer se nuk ka të dashur, megjithëse kjo nuk e përjashton faktin se ajo tashmë ka simpati për dikë.

“Nëse unë them që kam simpati, mediat menjëherë thonë se Adelina ka të dashur, andaj kam vendosur që të mos flas shumë rreth jetës sime private. Të mbetet gjithçka privatësi, por në momentin që do të kem të dashur unë do ta tregoj. Unë jam njëzet e një vjeçe dhe është normale që të kem të dashur, por sinqerisht nuk kam. Por kjo nuk do të thotë se nuk kam simpati. Është një djalë që unë e simpatizoj, por që nuk dua të tregoj asgjë më shumë, në mënyrë që të mos keqinterpretohet asgjë”,- ka deklaruar Tahiri, e cila për momentin do të mbajë gjithçka sekret.