15 dhjetor 2013- Përveçse është pagëzuar si diva e muzikës moderne shqiptare, ajo është votuar pafund si femra më e bukur dhe më seksi shqiptare. Adelina Ismaili merr edhe një “çmim” nga fansat e saj, të disatin me radhë, pasi tashmë ajo është një nga femrat më të suksesshme shqiptare, e cila ka bërë histori në muzikën moderne shqipe  Por këtë herë çmimi nuk i takon vetëm asaj. Adelina dhe Vali janë zgjedhur si çifti më i bukur i skenës shqiptare bazuar në pëlqimin e fansave. Pop diva shqiptare asnjëherë nuk e ka fshehur dashurinë e saj me Valin, i cili menaxhon edhe karrierën e saj që nga rikthimi i Adelinës në skenë si një femër, e cila me çdo paraqitje të saj që bën që nga rikthimi, rrezaton me një lumturi dhe pozitivitet kundrejt fansave. Po cili është menaxheri dhe njeriu që e bëri Adelinën një divë të lumtur? Val Krasniqi ka lindur në Prishtinë dhe në fëmijërinë e hershme familja e tij zhvendoset njëherë në Francë, pastaj në Zvicër. Është ekonomist i diplomuar në shkollën e biznesit në Zvicër, me një bagazh mbi 15 vjet në show-biznesin zviceran si menaxher. Vali dhe Adelina u njohën gjatë promovimit të albumit të fundit të Adelinës në Zvicër dhe tashmë nuk është e panjohur që ishte dashuri me shikim të parë. I cilësuar si një nga menaxherët më të suksseshëm shqiptarë, ai në një rast ka treguar që fillimisht tek Adelina pëlqeu, siç thotë ai: ‘’Një sensibilitet gati fëmijëror, në trupin e një seks-bombe’’. Edhe pse i rezervuar për mediat, Vali është ‘’fajtori’’ edhe për sukseset europiane të Adelinës. Nuk pëlqen paraqitjen në publik, por është eminenca gri që koordinon gjithçka që lidhet me suksesin e fenomenit Adelina. Bazuar në komentet e fansave janë çifti ideal edhe nga pamja e jashtme. Kurse vetë Adelina Ismaili asnjëherë nuk e ka fshehur dashurinë për të, madje duke pranuar që ishte ajo që e puthi e para. Mbeten në kujtesë fjalitë e Adelinës, ku në disa raste ajo deklaroi: ‘’Vali më bëri kjo që jam, me të fillova ta dua më shumë veten’’, por edhe ajo që mbuloi mediat mbarëshqiptare ‘’Unë nuk fle me xhirollogarinë e Valit, por me centimetrat e tij’’! Sot, pas një kohë jo të shkurtër, ne morëm një deklaratë nga Adelina, lidhur me këtë cilësim që i është bërë çiftit nga audienca. Adelina duke qeshur, na tha: ‘’E pabesueshme! Jemi çifti që kemi më së paku paraqitje publike apo foto të postuara publikisht së bashku. Ndjenjë fantastike, do t’i mburremi fëmijëve tanë me këtë cilësim (qesh).  Çiftet e lumtura gjithmonë janë të bukur, çdokush që jeton dashurinë e sinqertë i uroj shuuuumë lumturi. Bukuria vjen nga lumturia, qofshi të lumtur të gjithë ju që dashuroni!’’. Edhe pse hiti i saj i fundit ka mbi një vit që është publikuar, Adelina mbetet një nga ato ikona muzikore që nuk kanë konkurrencë dhe kjo gjë u dëshmua me turneun e saj veror ballkanik të këtij viti, por edhe me pjesëmarrjen e saj në fushatë politike në Kosovë së fundmi, ku sallat e stërmbushura në Kosovë brohorisnin emrin e saj deri në atë masë, saqë nuk dëgjohej kënga. Vlen të përmendet që, si kundërpergjigje për pjesëmarrjen e Adelina Ismailit në fushatë politike në Mitrovicën e Jugut në Kosovë, një parti serbe solli këngëtarën serbe Ceca në Mitrovicën Veriore po atë ditë.

/ panorama plus /