Ministri i Financave, Ervin Mete ditën e sotme ka zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Europiane në lidhje me hapat e ndërmarrë dhe procesin e aderimit të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Gjatë fjalës së tij Mete bëri përmbledhje të zhvillimeve dhe hapave të ndjekur deri më tani për aderimin e vendit në SEPA, të cilat kanë qenë të shtrira edhe në një kontekst rajonal, aderim që përbën një masë të parashikuar në Planin e Rritjes të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri theksoi se Shqipëria është në një fazë të avancuar duke e krahasuar me rajonin. Sipas tij kjo fazë e avancuar i përket përmbushjes së kritereve dhe rreth një muaj më parë, më 13 qershor, dorëzimi zyrtarisht i aplikimit për anëtarësimin në SEPA.
Mete u shpreh se pritshmëritë janë që brenda këtij viti të merret një përgjigje në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në SEPA, në mënyrë që më tej vitin e ardhshëm të vijohet me implementimin e plotë të procesit.
“Aderimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të shumëfishta për Shqipërinë, për qytetarët, për bizneset dhe për ekonominë e vendit në përgjithësi. Pagesat mes anëtarëve në SEPA janë po aq të thjeshta dhe të lira, sa janë edhe pagesat kombëtare. Në këtë mënyrë, me aderimin e vendit në SEPA, qytetarët dhe bizneset do të mund të kryejnë transferta dhe pagesa sikur të ishin qytetarë të vendeve të BE-së”, u shpreh ai.
Ministri theksoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në SEPA sjell përfitime të rëndësishme ekonomike dhe është gjithashtu hapi i parë i integrimit de facto të rajonit në një element të rëndësishëm të tregut unik evropian.
Sa i përket përgatitjeve për aderimin në SEPA, Ministri informoi se ato janë shoqëruar me diskutime të vazhdueshme me institucionet e Bashkimit Europian dhe me vendet e rajonit në nivel ministrash të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore. Ministri theksoi se në këtë proces ka luajtur një rol domethënës edhe Banka Botërore, e cila ka mbështetur dhe vijon të mbështesë me asistencë dhe ekspertizë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e aplikimit dhe plotësimit të kritereve ligjore për t’u bërë pjesë e SEPA-s.