Nga Shpëtim Kodra
Në 200-vjetorin e vdekjes
Miku i dashur i shqiptarëve. I pari poet i shquar anglez që vizitoi Shqipërinë dhe i kushtoi vargje aq të bukura e aq të ndjera natyrës së saj të rrallë; vetive të larta e burrërore të shqiptarëve, duke nxitur kërshërinë dhe frymëzimin e një numri të madh poetësh e piktorësh anglezë,si dhe udhëtarësh të tjerë. Me 19 shtator 1809 Bajroni do të lundronte drejt Prevezës, skelës më të rëndësishme të pashallëkut shqiptar të Ali Pashë Tepelenës. Preveza i hapte poetit të ri 21 vjeçar dyert e një bote aq të lashtë e të panjohur, siç ishte Shqipëria, por do të takonte edhe prijësin trim e të zgjuar, të egër e dinak, siç ishte Ali Pasha. Miku i Bajronit, Hobhauz mbante një ditar të rregullt dhe kur të kthehej në Angli, do të botonte më 1813 librin “Udhëtim përmes Shqipërisë dhe provincave të tjera të Turqisë.
Bajroni kish lexuar për ilirët, si dhe për heroin e madh kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeun. Për të Shqipëria përbënte një enigmë interesante, si për të tanishmen, ashtu edhe për të kaluarën e lavdishme historike. Duke udhëtuar në gjurmët e Luanit të Tepelenës, Bajroni mrekullohet nga pamjet piktoreske. Frymëzohet nga natyra dhe nga vetitë e shqiptarëve. Dhe kjo e bënte të ndjehej i kënaqur e i lehtësuar në shpirt. Në kontrast me rrugët e mjegullta të Londrës dhe me natyrën e ftohtë të londinezëve, viset plot dritë të Shqipërisë dhe mikpritja e rrallë e shqiptarëve, nxitën në mendjen e tij krijimin e vargjeve të bukura të një vepre madhore. Poema “Childe Harold’s pilgrimage” (Shtegtimet e Çajld Haroldit) nisi të shkruhet në Janinë më 31 tetor 1809. Përshkruhen bukur shtegtimet e Childe Burn (forma e vjetër e mbiemrit Byron).
Poeti shprehet:”Djemtë janë të rreptë e të egër, por jo pa virtyte”. Pas pamjes së ashpër të fytyrave të tyre, ai zbuloi madhështinë shpirtërore, prandaj shkruan:”Shqipëri, lejomë të kthej sytë e mi |Mbi ty, o nënë e rreptë burrash të egër!” Bajroni i donte e i respektonte popujt liridashës. Ai e deshi sinqerisht popullin shqiptar, që vërtet ish lënë në errësirë, por që ndriçonte me tërë thesaret e veta, prandaj i këndoi aq bukur:”O Shqipëri, ku lindi Iskanderi!|Këngë e rinisë, fanar i të urtëve!” Ndjenjat e sinqerta të Bajronit për shqiptarët, për Shqipërinë dhe për natyrën e saj të madhërishme, shpalosen dukshëm edhe në letrat që i dërgon ai nënës së tij Xhon Hansonit, Hobhauzit, Henri Drurit. Ato bëjnë pjesë te “Jeta dhe veprat e Bajronit”. Ndër shënimet e shumta po veçojmë disa prej tyre.
Ai shkruan:”Shqiptarët janë kombi më i pashtruar nën sundimin e sulltanit. Shqiptarët, ndonëse janë të rreptë, nuk janë të pabesë. Nga dukja, janë ndofta më e bukura racë në botë. Të gjithë burrat janë ushtarë; lufta e gjahu janë zanatet e tyre. Janë luftëtarë njësoj të aftë, si në përdorimin e shpatës, edhe në atë të pushkës së gjatë. Janë një popull kryengritës, që nuk e durojnë dot zgjedhën”. Poeti vargëzon:”Të rreptë bijt e shqipes! Po vetitë|Nuk u mungojnë, veç t’ishin më të arrira.|Armiku ua pa kurrizin ndonjë herë?|Kush e duron si ata mundimn’ e luftës?|Shkëmbinjtë e tyre s’janë më të patundur|Nga ata, në rast rreziku e nevoje:|Ç’armiq për vdekje, por sa miq besnikë!|Kur besa a nderi i thërret të derdhin gjakun,|Si trima turren ku t’i çojë i pari i tyre”.
Në letrat dërguar nënës së tij, Bajroni shkruan më tej:”Rrallë mund të gjesh më besnikë në rrezik e më të palodhur në shërbim, se sa shqiptarët”. Të tillë i përshkruan të dy shoqëruesit e tij, Vasil e Dervish. Janë njerëz të thjeshtë, të varfër e bujarë. “Mirësevjen” është përshëndetja e tyre e çiltër, gëzim i një vatre mikpritëse. Shqiptarët kanë veshjet më të hijshme e më të pasurat në botë, që përbëhen nga fustanella e bukur, e bardhë; nga jelekui qëndisur në ar, me gurë të stolisur dhe hedhur mbi supe; nga koburet e kamat e veshura me argjend. I kursejnë paratë për të blerë armë e stoli”. Dhe në vargje shkruan:”Shih të egrin shqipëtar me fustanellë| e rrobat të qëndisura me ar.|Armët të lara me flori, sa bukur!”
Ndërsa vajzat arnaute janë shumë më të bukura se greket dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk. Veshja e grave është tepër fantastike dhe e ndryshme në fshatra të ndryshëm. Një përshtypje të veçantë i la figura e Ali Pashë Tepelenës, të cilin e përshkruan me shumë aftësi. Ai konsiderohet nga të gjithë si burrë me aftësi të dorës së parë. Ali Pashai është një nga më të fuqishmit burra të perandorisë osmane. Poeti e karakterizon edhe në vargje:”Prijsin e Shqipërisë, urdhri i të cilit| Është ligj pa ligj, sepse me dorën gjak |Sundon një popull kryengritës trim”. Bajroni rrëfen:”Kështjella kish pamje madhështore. Kur u paraqita tek Ali Pasha, isha veshur me uniformën zyrtare të oficerit britanik dhe kisha një shpatë shumë të bukur.
Vezirin e gjeta duke më pritur në këmbë, shenjë nderimi e rrallë kjo në botën myslimane. Ai më priti në një divan të madh, të shtruar me pllaka mermeri. Në qendër ndodhej një shatërvan. Pyetja e parë që më bëri Veziri ishte:”Pse në moshë kaq të re je larguar nga Atdheu yt?” Myslimanët nuk e kanë idenë e shtegtimit thjesht për zbavitje e dëfrim. Shfaqi dëshirën që t’i dërgoja nderimet e tij nënës sime. Më tha ta konsideroja si at gjatë kohës së qëndrimit tim. Lartësia e Tij Ali Luani (Asllani), siç e quanin mjaft vetë, ishte një plak 60 –vjeçar, shumë i ngjallur e jo i gjatë, por me fytyrë fine e tërheqëse, me sy ngjyrë qielli e mjekër të bardhë. Mënyra e sjelljes së tij është e ëmbël e njëkohësisht plot dinjitet.
Pamja e tij e shfaq qartë karakterin e tij zemërgur e tiran, por edhe shumë trim, sa e quajnë “Bonaparti mysliman”. Pukëvili e quante “Sovrani i dytë në Turqi”. Me shumë simpati Bajroni i përshkruan shqiptarët. Në letrën e 12 nëntorit 1809, që është letra më e bukur e më e plotë për shqiptarët e Shqipërinë, vazhdon t’i rrëfejë nënës së tij. Kryeplaku, të cilin ai desh ta shpërblejë për shërbimin e kryer, i tha Bajronit:”Dua të më duash, jo të më paguash”. Në vargje poeti shprehet:”Dhe shtruan sofrën me ato që patën.|Kësaj i thonë dashuri njerëzore”. Me mjaft shqiptarë Bajroni ndau kafshatën e gojës, duhanin; me ta ndjeu kënaqësinë e këngëve e valleve, siç thonë dhe vargjet:”Viktimë e dallgës së egër në udhë e sipër,|E pritën (Haroldin)në shtëpi me gjithë të mirat.|Në zjarr sa pak zemra i bëkan ballë provës!”
I dua shqiptarët, në mënyrën e sjelljes së të cilëve ndasia fetare sjell pak ndryshime. Figurën e një shqiptari, dikur komit, i fundit shqiptar që takoi në Greqi, poet e përshkruan bukur te “Nusja e Abidosit”,që bën pjesë në poemat orientale. Sipas Bajronit, mërgimtarët shqiptarë në Atikë, i kanë ruajtur të paprekura: gjuhën amtare, doket, zakonet, kostumet, trimërinë, bujarinë e mikpritjen e rrallë. Edhe seria e poemave të Lindjes (Gjauri, Korsari, Lara, Rrethimi i Korintit, Nusja e Abidos) përbëjnë një përmbledhje të tipareve më të të bukura të shqiptarëve. Bajroni është i pari shkrimtar i huaj, që tregoi interes për gjuhën shqipe dhe për këngët popullore shqiptare. Përmbledhja e parë e frymëzimit, nga këngët popullore shqiptare, janë strofat e këngës “Tamburxhi, tamburxhi”, që mbyllin këngën II të poemës “Çajld Harold”. Siç tregon Th.Moore, një mbrëmje, ndërsa lundronte me varkë në liqenin e Gjenevës, bashkë me Persi Bishi Shelin, i shkrepi në kokë të këndonte një këngë popullore shqiptare.
Citoj disa vargje nga kënga “Tamburxhi, tamburxhi”:”Tamburxhi! Tamburxhi! Thirrja jote ushton,|U ngjall trimave shpresë, në luftë fton|gjithë djemtë e malsisë anembanë;|Himariotët, ilirët, suliotët zeshkanë.|E kush është aq trim sa sulioti zeshkan, |Me fustan të bardhë e të zi tallagan?|Të bijt e Himarës që s’falin as mikun,|Si mund ta lenë të gjallë armikun?” Në fiset trime shqiptare, Bajroni veçon suliotët e ndër ta, dallon Marko Boçarin, trimin e rrallë. Në shtator 1823 Bajroni shkruan:”Gjeta rastin t’i shkruaj një letër Marko Boçarit. Përgjigja e tij ishte ndoshta e fundit që nënshkroi, sepse u vra pikërisht të nesërmen.” Aty thuhet:”Letra juaj më ka mbushur me gëzim. Ju falënderoj për mendimin e mirë që keni për bashkatdhetarët e mi dhe shpresoj ta gjeni të bazuar”. Vdekja e gjeneral Boçarit e tronditi thellë zemrën e Bajronit. Edhe Hygoi do të mbante një fjalim rrënqethës mbi varrin e Marko Boçarit. Do t’i kushtonte dhe vargje lavdie në oden “Kokat e sarait”. Figurën e tij Hygoi e merr si shembull për francezët dhe e ngre lart te “Viti i tmerrshëm”, ku e përmend përkrah Leonidhës së Termopileve dhe Garibaldit.
Shqipëria e preku Bajronin më tepër se Çdo vend tjetër që vizitoi. Ai u mahnit nga bukuria e ashpër e natyrës shqiptare. Dhe, siç thotë Berst, “Nuk ishte e rastit që Bajroni nisi ta shkruajë “Çajld Haroldin” pikërisht në këtë vend frymëzues”. Sipas Bajronit, “për nga numri i bukurive natyrale, ky vend ua kalon krahinave klasike të Greqisë”.Dhe në vargje shprehet:”N’Atikën e përmendur rrallë sheh| Lugina kaq të bukura. S’ka tempja |Stoli që aty s’e gjen. Parnasi i dashur,|Megjithëse vend klasik e i shenjtëruar, |S’krahasohet dot me viset që fsheh ky bregdet”.Bajroni ndikoi te mjaft shkrimtarë për të trajtuar temën shqiptare, si te Lamartini, Hygoi, Longfellou e Dyma. Përshkrimet e tij të bukura nxitën shumë vizitorë të vinin në Shqipëri.
Baronesha Xhuzepina Knorr, albanologe e njohur austriake, botoi librin “Lord Byron e gli albanesi”.Ajo përktheu në italisht letrën që Bajroni i dërgoi nënës së tij. Sipas saj, vargjet e Bajronit do të mbeten lëvdata më e bukur dhe e veçantë, që i është bërë një kombi. Bajroni nxiti edhe interesin e mjaft albanologëve për çështjen shqiptare. Si një simbol i poezisë romantike, Bajroni frymëzoi edhe piktorët bashkëkohës e pasardhës për pasqyrimin e temës shqiptare. Kështu u ndikuan:Delakrua, Mile, Kurbe, Mone e Manet. Piktori Coquerell, ashtu si Tomas Hjuz, shkroi një libër me përshtypje nga Shqipëria. Coquerell pikturoi sarajet e Ali Pashës dhe “Shtëpinë e Nikolla Argjirit”, ku pati qëndruar Bajroni. Depre realizoi pikturën “Ali Pasha në liqenin e Butrintit”. Koro’ u frymëzua nga Bajroni për tablonë “Shqiptarja”. Delakrua trajtoi temën suljote:”Boçari sulmon kampin turk etj. Ari Shefer, lexues e adhurues i Bajronit, i frymëzuar nga akti i grave suliote që u hodhën nga shkëmbi, për të mos iu dorëzuar armikut, krijoi tablonë “Gratë e Sulit”. Njëqind ditët e fundit të jetës së tij, Bajroni i kaloi në Greqi, në shërbim të revolucionit grek antiosman, duke kontribuar edhe financiarisht me 4.000 paund (me kursin e sotëm 332.000 paund). I shkatërruar nga malarja, mbylli sytë në Misolongji. Në çastet e fundit është shprehur:”Dhe tani unë i jap Greqisë jetën time! Çfarë mund të bëja më shumë?!”