Brazil, 18 qershor 2014 – Spanja e shpërdoron në mënyrën më të keqe të mundshme mundësinë e vetme për të shpresuar për të ecur më tej në këtë Kampionat Botëror. “Stuhia e Kuqe” u eliminua nga ky eveniment shumë herët, pasi pësoi humbje sonte nga Kili me rezultat 2:0, ndërkohë që kishte pësuar një humbje të thelë pak ditë më parë nga Holanda, 5:1.
Ekipi i Vicente del Bosques u mposht 2:0 nga Kili dhe i dha fund kështu shumë herët eksperiencës në këtë Botëror.
Ndeshjen e tretë dhe të fundit, kampionia botërore dhe evropiane do ta luajë vetëm sa për sy e faqe, pasi më pas do t’i bëjë gati valixhet dhe do të kthehet në shtëpi.
Kili shënoi me Eduardo Vargas e Charles Aranguiz, dhe vazhdon më tej së bashku me Hollandën. Në ndeshjen e fundit në grup mes këtyre dy ekipeve do të mësohet emri i skuadrës që do të kryesojë grupin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





