Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) hapi pranë ambienteve të zyrës së saj së pritjes në Tiranë sportelin e shpejtë “ProBiznes”, misioni i së cilit është t’u vijë në ndihmë subjekteve tregtare në lidhje me ofrimin e shërbimeve të dedikuara ndaj biznesit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Zëvendës Ministrja e Drejtësisë Teuta Vodo, Drejtoresha Ekzekutive e ADISA Anisa Gjika, Drejtori i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elion Semanaj, si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme në vendin tonë.

Në fjalën e saj, Zëvendës Kryeministrja Mesi, duke u ndalur tek Reforma në Shërbimet Publike si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë Shqiptare që prej vitit 2014-të, theksoi se ky është një proces rrënjësor i ri-ndërtimit të mënyrës sesi ofrohen shërbimet për qytetarët me një përqasje gjithë-përfshirëse dhe të qendërzuar tek qytetari.

“Reforma në fjalë bazohet tek inovacioni dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit për të përmirësuar standardet, procedurat dhe mënyrën sesi organizohet ofrimi i shërbimeve. Nga kjo reformë institucioni kampion është ADISA, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara”, tha Mesi. 

Ndërsa Anisa Gjika, Drejtoreshë Ekzekutive e ADISA, u ndal tek konceptimi dhe hapja e këtij sporteli të ri nisur nga shqetësimi  i subjekteve tregtare në lidhje me kohën e pritjes në sportel dhe zgjatjen e procedurave.

Rezervimi i biletës për të kryer procedura në këtë sportel apo për t’u informuar mbi kartelat e shërbimeve do të bëhet nëpërmjet aplikacionit ADISA Mobile App. Në këtë mënyrë do të reduktohet koha e pritjes së subjekteve tregtare që do të kryejnë aplikime, si dhe numri i personave që presin në radhë për marrjen e shërbimit”, nënvizoi Gjika.

Me hapjen e sportelit “Pro-Biznes”, po vendoset një standard i ri, inovativ në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike. ADISA bëri të mundur hapjen e këtij sporteli ku do të procedohet në mënyrë të shpejtë dhe me rezervime të përcaktuara më parë, duke e përshtatur kështu modelin shqiptar të ofrimit të shërbimeve publike me modelet e vendeve të zhvilluara.

Synimi kryesor i ADISA, përveç përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike dhe rritjes së kënaqësisë së qytetarëve, është hapja e sportelit “Pro-Biznes” edhe në qendrat e Integruara të Kavajës, Krujës, Fierit dhe Gjirokastrës duke krijuar kështu lehtësi për të gjitha bizneset dhe qytetarët e qyteteve të tjera.