Ditën e sotme, kryeministri i Shqipërisë, zoti  Edi Rama, ka folur rreth projektit “Administrata 2030”.

Rama u shpreh se qeveria ka barrën e madhe që t’i përkushtohet mirëqenies së administratës. Ai tha se ekzistojnë të gjitha arsyet që të mbështetemi tek administrata, pasi do të jetë ajo e cila do t’i shërbejë Shqipërisë sot dhe në të ardhmen.

Në fjalimin e tij, Rama shtoi se pagat do të rriten përsëri këtë vit.

Fjalimi i Ramës:

“Duhet të kemi të njejtat standarte si të vendeve të Bashkimit Europian. Ne i kemi arsyet se mund të mbështetemi tek administrata. Çfarë privilegji mund të ketë dikush sesa t’i shërbejë vendit të tij? Si çdo gllënjkë uji ka rolin e vet, ashtu dhe çdo punonjës, çdo pozicion pune. çdo kompjuter që ndizet që në mëngjes, apo çdo procesverbal, ka rolin e vet.

Ne kemi barrën e madhe t’i përkushtohemi shumë më tepër mirëqenies dhe gjendjes shpirtërore të administratës. Natyrisht, pagat i kemi rritur dhe do t’i rrisim prapë këtë vit. Nuk janë vetëm pagat, por edhe aspekte të tjera për të garantuar qetësinë materiale dhe shpirtërore që administrata dhe çdo punonjës i saj, të jetë i motivuar të bëjë punën e tij.

Ne do të jemi gati për Bashkimin Europian, përpara se Bashkimi Europian të jetë gati për ne.

Qëllimi ynë është të krijojmë një klimë të re në çdo hapësirë të administratës, sepse kur thyhet një rekord, që ne e kemi thyer një të tillë, duhet që të nesërmen të gjesh forca të reja brenda vetes për të shkuar më tutje, dhe këto i gjen duke parë veten me sy kritik, për të kuptuar se çfarë mund të arrish më shumë nga çfarë ke arritur”.