TIRANË, 30 gusht 2013 – Mazhoranca e re ka kërcënuar administratën, kështu është "qarë" ministri i Drejtësisë Eduard Halimi para ambasadorëve të Britanisë së Madhe dhe Izraelit. Duhet vënë në dukje edhe fakti se deputeti i Durrësit nuk di vetëm të ankohet, por me guxim ka deklaruar: “Ne nuk do të lejojmë mazhorancën e re të prekë punonjësit e kualifikuar”. Është e çuditshme pse mediet shqiptare, madje edhe ato afër PD-së, nuk kanë denjuar të pasqyrojnë dy takime kortezie të Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi në përfundimin të detyrës së tij me ambasadorin britanik Nicholas Cannon dhe atë të Izraelit, David Cohen. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë së Drejtësisë, z. Halimi falënderoi ambasadorin britanik për mbështetjen e jashtëzakonshme në zhvillimin e projekteve. Deputeti i Durrësit theksoi se në opozitë do të jetë pas çdo projekti duke monitoruar ecurinë e tyre për të siguruar vazhdimësinë e projekteve  aq të domosdoshme për sistemin e drejtësisë. “Mazhoranca e re ka kërcënuar administratën e trajnuar nga ana juaj me paratë  e taksapaguesve britanikë e evropianë. Ne nuk do të lejojmë mazhorancën e re të prekë punonjësit e kualifikuar të Shërbimit të pronës dhe monitorit elektronik.” – theksoi Halimi. Ministri ngriti shqetësimin se maxhoranca e re po sulmon institucionet e pavarura. “Institucionet e pavarur janë thelbi i një shteti demokratik dhe ne do të jemi opozita më e fortë dhe mbrojtësit e tyre”. Sipas njoftimit, përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar është betuar: “Ne nuk do të lejojmë që reformat e realizuara, të bllokohen. Do të ishte shumë keq që puna e realizuar në Shërbimin e Provës të kthehej mbrapsht. Ju premtoj se do t’i ndjekim nga afër ecurinë e këtyre reformave që janë krijesë juaja po aq sa edhe jona”. Ambasadori i Izraelit David Cohen vlerësoi lart bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë si dhe deklaroi se vazhdimësia e projekteve të tilla është e rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e tij.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/