Në ndryshim nga fushatat e tjera zgjedhore, kur administrata shtetërore shthurej për shkak të angazhimit në aktivitetet partiake të pjesës dërrmuese të punonjësve, këtë herë realiteti është krejt i kundërt.
Në të gjitha institucionet shtetërore në Durrës si bashki, prefekturë, UKD, spital, shkolla, hipoteka, APD etj, asnjë prej punonjësve nuk guxon të lërë punën brenda orarit zyrtar, pasi i trembet shkarkimit.
Në të gjitha institucionet, punonjësit, sapo mbërrijnë në mëngjes, firmosin orën e paraqitjes në punë dhe më pas firmosin sërish në momentin kur mbyllin orarin zyrtar.
Asnjë punonjës nuk largohet për asnjë motiv, qoftë edhe në raste ekstreme, pasi ndihen të frikësuar nga Task-Forcë që mund të paraqitet në institucion në çfarëdolloj momenti për të kontrolluar prezencën në punë të administratës.
Punonjësit e administratës pohojnë nën zë se, përballë presionit të largimit nga vendi i punës, kanë vendosur të durojnë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, kur edhe pritet të marrë fund ky panik.
Kontrolli mbi administratën shtetërore ushtrohet nga ministrat teknikë të propozuar nga PD dhe miratuar nga kryeministri Rama, të cilët, në bazë të marrëveshjes Rama-Basha, do të mbikqyrin rreptësisht administratën, për të evituar përfshirjen e saj në fushatën zgjedhore, gjatë orarit të punës.





