Administrata Trump po ndërmerr largimin e rreth 700 agjentëve të Shërbimit Federal të Emigracionit (ICE) nga Minesota, njoftoi të mërkurën i ashtuquajturi “car i kufijve”, Tom Homan.
Me largimin e menjëhershëm të 700 agjentëve, në Minesota do të mbeten rreth 2.000 agjentë të ICE. “Nuk kemi pasur kurrë një bashkëpunim të këtij lloji, në këtë nivel, me autoritetet lokale”, theksoi ai.
“Për të qenë i qartë, presidenti Trump ka për qëllim të realizojë plotësisht objektivin e dëbimeve masive gjatë kësaj administrate dhe veprimet e zbatimit të ligjit në fushën e emigracionit do të vazhdojnë çdo ditë në të gjithë vendin”, deklaroi Homan gjatë një konference për shtyp. “Presidenti Trump dha një premtim dhe nuk kemi marrë udhëzime të ndryshme”, shtoi ai.
Largimi i agjentëve hyn në fuqi menjëherë, megjithatë Homan nuk sqaroi nëse masa ka të bëjë vetëm me qytetin e Mineapolisit apo me të gjithë shtetin e Minesotës.
Në janar, dy protestues u vranë në Mineapolis nga agjentë federalë, një ngjarje që çoi në protesta masive dhe krijoi një klimë të fortë tensioni në qytet.
Homan bëri të ditur gjithashtu se në planet e tij është pajisja e të gjithë agjentëve të ICE në nivel kombëtar me kamera trupore, por për momentin përparësi do t’u jepet atyre që janë të dislokuar në Mineapolis.





