Një nga biznesmenët e njohur që operon në fushën e pajisjeve hidrosanitare dhe sistemeve ngrohje e ftohje, është dekoruar me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit”. Bëhet fjalë për administratorin e kompanisë “Sinani Hidrosanitare” Haki Sinani.
Pak ditë më parë, në mjediset e kompanisë Sinani, e cila gjendet në kilometrin e 26-të të autostradës Tiranë-Durrës, përfaqësues të shoqatës “Durrësi” dhe bashkisë i dorëzuar titullin zotit Sinani. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast kanë marrë pjesë stafi drejtues i kompanisë, përfaqësues të shoqatës “Durrësi” si dhe bashkisë së qytetit.
Akordimi i këtij titulli është bërë me rastin e festës së “Mikpritjes Durrsake”, e cila zhvillohet çdo vit nga shoqata “Durrësi” në bashkëpunim me bashkinë Durrës në fund të muajit mars. Kryetari i shoqatës “Durrësi” Shpëtim Metani në fjalën e tij tha se Haki Sinani është një biznesmen i palodhur, vizionar dhe njeri i ndershëm që ka ngritur një kompani të suksesshme që kontribuon në zhvillimin e qytetin dhe punësimin e shumë personave.
Titulli “Nderi i qytetit të Durrësit” i është akorduar zotit Haki Sinani me këtë motivacion: “Për kontributin e rëndësishëm që jep në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, në mbështetjen e aktiviteteve, në promovimin e historisë e kulturës së qytetarisë durrsake, për vlerat e spikatura intelektuale, qytetare e humane”.
Pasi ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatës “Durrësi” për akordimin e këtij titulli, administratori i kompanisë Haki Sinani u shpreh se ndihet krenar për këtë arritje që erdhi si rezultat i punës së tij të palodhur dhe gjithë stafit të kompanisë Sinani. Ai shtoi se dëshiroj që këtë sukses ta ndaj me familjarët e mi dhe gjithë stafin e kompanisë duke shpresuar se misioni që kemi nisur do ta çojmë akoma më përpara.
Hidrosanitare Sinani është një nga firmat që operon me sukses në tregun e materialeve hidrosanitare, hidraulike, sistemeve të ngrohjes e ftohjes, elektrikeve dhe bojërave. Fokusi dhe strategjia e kësaj kompanie është ofrimi i produkteve të një cilësie maksimale. Kompania ofron një gamë mjaft të gjerë produktesh, por mbi të gjitha ato janë shumë cilësore. Aktiviteti i kompanisë Sinani ka nisur ne fillim te viteve ‘90 dhe është rritur vit pas viti me hapa të konsiderueshëm. Ajo bashkëpunon me partnerë prestigjiozë nga Italia, Gjermania e shumë vende te tjera te Evropës, produktet e të cilëve janë të certifikuara dhe konform normave e direktivave te Komunitetit Evropian.