Një studim i ri nga Copán, Honduras, zbardh misteret e rënies së Majave përmes gjenetikës. Populli nuk u zhduk kurrë ai jeton ende në pasardhësit e tij.

Një studim i publikuar më 28 maj në revistën Current Biology po ndryshon mënyrën se si e kuptojmë fundin e qytetërimit klasik Maja. Duke analizuar gjenomet e shtatë individëve të lashtë të varrosur në Copán – një qendër madhore politike e Majave në Honduras – studiuesit kanë zbuluar se rënia e këtij qytetërimi nuk ishte një zhdukje, por një transformim i thellë shoqëror dhe demografik.

Rënia nuk ishte fundi

Gjetjet tregojnë se popullsia e Majave pësoi një rënie të ndjeshme rreth vitit 750 pas Krishtit – një periudhë që përkon me shembjen e strukturave të pushtetit. Por ADN-ja e lashtë dëshmon se njerëzit nuk u zhdukën. Përkundrazi, ata mbijetuan dhe vijuan të jetojnë në të njëjtat zona.

“Gjenomet na tregojnë një vijimësi të habitshme që nga periudha e vonë arkaike deri në ditët e sotme,” shpjegon Shigeki Nakagome, gjenetist në Trinity College Dublin. “Kjo përforcon tezën se rënia ishte politike dhe shoqërore – jo biologjike.”

Elitat, sakrificat dhe ndarja e pushtetit

Një zbulim veçanërisht intriguese ishte analiza e dy individëve të varrosur së bashku: njëri, me shenja të qarta statusi, dyshohet të ketë qenë sundimtar; tjetri, viktimë sakrifice. Megjithëse të dy ndanin të njëjtin haplogrup të kromozomit Y – duke sugjeruar prejardhje të largët të përbashkët – nuk rezultuan të ishin farefis. Ky zbulim sfidon idenë se varret elitare përfshinin gjithmonë anëtarë të së njëjtës familje.

Copán: Një qendër e përzierjeve kulturore

Pozicioni gjeografik i Copánit e bëri atë një pikë takimi të popujve nga Meksika e Jugut në Amerikën Qendrore. ADN-ja tregon ndikime nga rajone të ndryshme, përfshirë malësitë meksikane, duke sugjeruar se elitat e huaja shpesh martoheshin në familjet vendase ose zëvendësonin dinastitë ekzistuese – një praktikë e njohur edhe nga mbishkrimet historike.

Jo një zhdukje një mbijetesë e vazhdueshme

Studiuesit arritën në përfundimin se rënia e qytetërimit Maja nuk ishte një kolaps i plotë, por një “riformatim” i shoqërisë. ADN-ja e gjetur në Copán përputhet ngushtësisht me atë të popullatave Maja të sotme, duke dëshmuar që komunitetet indigjene ruajtën identitetin e tyre përmes shekujve.

“Është një histori mbijetese, jo zhdukjeje,” theksojnë autorët e studimit. “Popujt indigjenë vazhduan të ekzistonin, të përshtateshin dhe të përcillnin trashëgiminë e tyre.”

Zbulime që ndërthurin arkeologjinë me shkencën moderne

Ky hulumtim është një hap i madh përpara në ndërthurjen e analizës gjenetike me arkeologjinë. Ai lejon një kuptim më të thelluar të jetës së përditshme, lëvizshmërisë, dhe strukturave të pushtetit në të kaluarën – dhe tregon se historia e Majave është më shumë një rrëfim për qëndrueshmëri, sesa për zhdukje misterioze.