Sigurisht që politika e madhe bëhet në Tiranë dhe shkarkimet e urdhrave nga selitë blu apo rozë janë direkte. Askush nuk mund ta mohojë këtë, madje nëse ndonjë nga drejtuesit e degëve lokale politike do të thoshte jo, të gjithë do të qeshnin dhe sigurisht që do të qeshte dhe ai vetë pas disa sekondash. Në Shqipërinë tonë të vogël kështu ndodh. Pushtetet absolute të qendrës janë në pozicionin që kish Zeusi me perënditë e tjera, për të mos thënë me pozicionin e Zeusit me vetë njerëzit. Ky është një realitet i padiskutueshëm që në fakt e kanë provuar disa nga ish “rebelët” e të dy kaheve politike në Durrës, të cilët morën goditje politike me mënjanim, largim, apo me vetëlargim nga skena politike. Kujtojmë këtu rastin Kopliku i cili guxoi t`i kundërvihej rrymës politike, rastin Agasi që i rezistoi një farë kohe erës së re të ndryshimeve të Ramës dhe më pas u mënjanua, ndonëse ishte njeriu që kish themeluar dhe organizuar degën e Durrësit në kohën kur një pjesë e njerëzve kishin frikë të pranonin se ishin anëtarë të PS-së. Kujtojmë largimin e përkohshëm të Ferdinand Xhaferrit nga PD dhe kalimin e tij te PDR apo rastin më të fundit Oketa i cili dha fund marrëdhënieve me PD-në për të menduar për një forcë tjetër politike.
Me sa duket, ADN-ja qytetare të bën të reagosh, të kundërshtosh, të devijosh apo të ndahesh përfundimisht nga të qenurit vasal, pasi instinkti natyral i të qenit fisnik dominon përulësinë, servilizimin dhe mediokritetin që prodhon mungesa e qytetarisë. Sigurisht që në secilin prej këtyre personazheve ka histori të ndryshme, qëndrime të ndryshme, karaktere të ndryshme apo dhe përballime të ndryshme të presioneve politike. Dikush rezistoi deri në fund si rasti i z. Kopliku, dikush u rikthye në gjirin e partisë mëmë si rasti Xhaferri, dikush rezistoi përkohësisht dhe pasi mori një ftesë për kongres ju bashkua përsëri radhëve, si rasti Agasi, në një kohë që mbetet për t’u provuar qëndrimi i Oketës.
Për të mos iu futur çështjes morale, politike, individuale, psikologjike apo koniukturale, ka diçka të përbashkët te këto personazhe të qytetit tim që mund të përkthehet- dalje kundër rrymës, qëndresë e përkohshme apo e përhershme, mendim ndryshe apo dinjitet politik dhe moral dhe qytetar. Ka diçka prej së cilës këto personazhe patën pasoja, por dhe fituan kredibilitet moral dhe intelektual, ndonëse dikush mund ta ketë humbur rrugës dhe dikush e mban akoma. Duke u nisur nga kjo analizë e përgjithshme do të doja që të bëhesha më konkret dhe i drejtpërdrejtë. A duhet të ndërhyjë politika qendrore në çështje që kanë të bëjnë me interesat lokale të një qyteti-port si Durrësi dhe a duhet që politikat dhe vendimmarrja që buron nga ky qytet të ketë karakter periferik, për të mos thënë provincial politik. Për ta bërë më të thjeshtë po i referohem disa shembujve konkretë. Shumëkujt i kujtohet vizita që z. Berisha bëri në Durrës rreth 3 vjet më parë, kur për herë të parë hodhi idenë e ndërtimit të një centrali në qytetin e Durrësit. Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, në atë vizitë ku fillimisht u mbollën edhe ca pemë para muzeut të dëshmorëve, ishte në krah të Kryeministrit dhe nuk tha asgjë kundër idesë së Kryeministrit, madje mori pjesë në inaugurime së bashku me numrin një të qeverisë. Në fakt z. Dako nuk u shpreh kundër as atë ditë, as një muaj më pas, asnjë vit më pas. Vetëm pas dy vjetësh, kur nga selia qendrore e PS filluan reagimet kundër TEC-it me qymyr, nisën dhe reagimet e kryebashkiakut.
E njëjta histori është konkrete dhe në rastin e rezistencës kundër importit të mbetjeve urbane. Kujtojmë se dhe në fushatën e zgjedhjeve qendrore këto probleme evidentoheshin më tepër nga parti të vogla dhe aspak nga partia më e madhe e opozitës. Me sa duket z. Rama para zgjedhjeve lokale e kuptoi fare mirë se duheshin evidentuar disa nga problemet më të ndjeshme për qytetarët dhe urdhri për politikat e fushatës përfshinte dhe trajtimin e kësaj karte, që z. Dako e përdori në mënyrë perfekte gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve lokale. Pra u desh ndërhyrja nga politika qendrore që kryebashkiaku të shprehej kundër TEC-it dhe më pas kundër importit të plehrave. Gjithsesi duke trajtuar këtë shembull nga e majta nuk dua të them se kryebashkiaku im është robot që përcjell direktivat e selisë rozë. Jo, do të gaboja po të arrija te ky konkluzion, pasi rasti Dako është disi i veçantë për vetë pozicionin, traditën qytetare dhe influencën që ka qytetari i parë në vetë degën e PS-së së Durrësit. Mbetet një figurë interesante për vetë faktin se ndonjëherë ka qenë dhe kundër direktivave të ardhura nga qendra. Kujtoj këtu rastin kur militantët e PS protestonin në autostradë dhe më pas para Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit. Një urdhër i z. Dako, i riktheu ata mbrapsht, gjë që natyrisht nuk u prit mirë nga qendra dhe ekstremistët.
I njëjti fenomen vihet re dhe djathtas. Vendimet politike të qendrës shkarkohen drejtpërdrejt në degën lokale, madje dihen që më parë vendimet dhe rezultatet e tyre. Mjafton t`ju jap një shembullin konkret të zgjedhjes së Kryetares së Qarkut, apo dhe emërimet në institucionet apo ndërmarrjet kryesore të qytetit. Nuk dua që të trajtoj në këtë analizë faktin nëse bëjnë mirë apo keq politikanët vendorë që fotokopjojnë vendimet e qendrës, synimi im është diku tjetër, më përgjithësues, më moral, më intelektual dhe më pragmatist. A duhet trajtuar nga qendrat e dy forcave më të mëdha politike Durrësi si një provincë politike e Tiranës, a duhet pranuar nga politikanët durrsakë pozicioni i rrufepritësit dhe për vendime që prekin interesat e qytetit, a duhet moderuar politika shqiptare që t’i japë më tepër oksigjen vendimmarrjeve të pavaruara lokale, a duhen pranuar rebelimet si shenja civilizuese dhe progresive?
Natyrisht që pyetjet e mia retorike dhe jo retorike i bëjnë të qeshin ata që e dinë mirë mekanizmin se si funksionon politika shqiptare. Ata e dinë mirë se çfarë fati pati Ben Blushi me shokë në PS apo Eduart Selami me shokë në PD. Efektet e vendimmarrjeve direkte në disa raste kanë prekur direkt interesat e qytetit, në funksion të territoreve politike. Kujtojmë këtu disa raste flagrante në Durrës kur një port i ri peshkimi vazhdon që të mbahet peng i mosmarrëveshjeve të politikës dhe influencat e qendrës të ndikojë në bllokimin lokal të projektit. Kur duan të prishin punë politikanët tanë janë mjeshtra, pasi të nxjerrin me qindra shkresa për të qenë kundër dhe në çast nëse vjen urdhri nga lart të gjejnë ekuacionin e zgjidhjes. Pra dy ide majtas dhe djathtas për pozicionimin e portit të peshkimit e lanë Durrësin pa port dhe për më tepër rrezikon që projekti dhe fondet të marrin tjetër drejtim. Kujtojmë këtu mosmarrëveshjet për rrugën e dytë hyrëse të Durrësit, apo ndërhyrjet për të ndaluar projektin e qendrës, atëherë kur ishin prerë të gjitha pemët, ishte hedhur betoni dhe kish mbetur vetëm inaugurimi.
Me sa duket lufta për territore politike e dirigjuar nga qendra prek shpesh dhe interesat lokale, pasi p.sh. me ndërtimin e portit të peshkimit në Durrës do të përfitonin si të djathtët ashtu dhe të majtët. Në një qytet mijëravjeçar, i cili dikur ka qenë dhe një nga qendrat ekonomike në rajon, në një qytet ku ndodhet porti më i madh e vendit dhe baza e një kulture mijëravjeçare, në një qytet ku diktatura e pati të vështirë ta bëjë një model të komunizmit dhe ku vetë Enver Hoxha e vizitoi me pikatore për shkak të mungesës së fanatikëve dhe frymës qytetare, në një qytet të përfshirë tashmë në hartën turistike europiane, selitë e Tiranës vazhdojnë që ta trajtojnë si një provincë politike ku vendimmarrjet “paketohen”, dhe vijnë të gatshme në zyrat e partive. Gjithsesi, gjithmonë ka një herë të parë. Gjithmonë ka një fillim për të lënë mënjanë armët politike, kur në mes janë interesat e qytetit. Shembujt nuk mungojnë, kapacitetet janë, qytetaria për fat të mirë ekziston si majtas ashtu dhe djathtas. Thjesht duhet të veprojë dhe të bëhet pak më e guximshme. Pse gjithmonë duhet të jemi domosdoshmërisht shumë të vonuar?!