Një 24-vjeçar shqiptar, brenda pesë muajve ka kryer rreth 30 vjedhje, ndërsa është kapur nga policia në Dübendorf fare rastësisht. Policët, gjatë kontrolli rutinë kishin ndaluar edhe të riun shqiptar në prill të këtij viti, ndërsa kishin konstatuar se ai jetonte në Zvicër ilegalisht, shkruan sda.ch.

Por vetëm pas arrestimit ata kishin zbuluar se me kë kishin të bënin, transmeton albinfo.ch. Hetimet që kishin pasuar kishin treguar se ai kishte lënë gjurmët e ADN-së në shumë vende ku ishin kryer vjedhje gjatë pesë muajve paraprakë. Për këtë arsye, atij i qe shqiptuar masa e paraburgimit. Rreth 30 vjedhjet të cilat i janë dëshmuar, 24-vjeçari i ka kryer në periudhën në mes të dhjetorit 2016 dhe prillit 2017, në qarqet si: Bülach, Meilen, Uster dhe Cyrih.

Vlera e parave dhe gjësendeve të vjedhura sillet rreth 94 mijë franga ndërsa ajo e dëmeve të shkaktuara, mbi 40 mijë franga, thonë në Policinë Kantonale të Cyrihut. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje shqiptari i ka pranuar veprat.