2 nëntor 2015 – Një qime floku e gjetur në mbështetësen e sediljes së automjetit ka zbuluar autorin e vrasjes së ndodhur më 6 prrill 2015, në Roterdam të Holandës, ku u ekzekutua me plumba shqiptari Durim (Ilirian) Sulku.

Vrasja e 33-vjeçarit, i cili përdorte dhe emrat Durim e Besnik Sulku, dyshohet se u bë shkak për një masakër të ndodhur më 27 maj 2015 në Tiranë.

Atë ditë, në një atentat të organizuar nga vëllai i 33-vjeçarit të vrarë në Holandë, mbetën të vrarë tre persona pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë.

Autorësia e vrasjes së ndodhur në Holandë, më 6 prill 2015, kishte mbetur mister edhe pse atje ishte fillesa e masakrës me tre viktima që ndodhi disa muaj më pas në Tiranë.

Policia holandeze gjeti si fillim makinën “BMW” dhe më pas brenda saj gjeti një pistoletë, me të cilën dyshohet se ishte qëlluar me plumb në kokë Ilirian Sulku.

Ekzaminimi i makinës e cila qëndronte e parkuar buzë një lumi në dishezë, kishte qenë më i hollësishëm nga policia holandeze.

“Panorama” shkruan sot se në mbështetësen e kokës te sedilja e shoferit, ekspertiza holandeze kishte gjetur qime floku, të cilave më pas iu bë analiza e ADN-së. Kjo analizë, ka identifikuar një shtetas shqiptar si autor të vrasjes së Ilirian Sulkut, ndodhur më 6 prill në Roterdam të Holandës.

Rezultati i analizës së ADN-së mësohet se i është njoftuar edhe prokurorisë shqiptare nga pala holandeze. Personi i identifikuar nga ADN-ja në Holandë rezulton të ketë qenë prezent edhe në masakrën e ndodhur në Tiranë.

Masakra në Tiranë

Më 27.05.2015, rreth orës 18:30, në vendin e quajtur bulevardi “Zogu i Parë” në Tiranë, pas një shkëmbimi zjarri kanë mbetur të vdekur shtetasit Besnik Sulku dhe Gerti Goxhaj, ndërsa shtetasi Mentor Lufi është transportuar për në spitalin Universitar të Traumës, ku nga plagët e marra ka gjetur dhe vdekjen.

/portali DurresLajm/