Seriali “Adoleshenca”, i shfaqur për herë të parë një muaj më parë, ka trazuar ndjeshëm opinionin publik dhe është shndërruar në një reflektim të fortë për jetën e përditshme të të rinjve. Historia e tij është kaq e prekshme dhe reale, saqë është cilësuar si një film që duhet parë nga çdo prind, mësues apo vetë adoleshent. Madje, kryeministri shqiptar dhe ai britanik kanë propozuar që seriali të shfaqet në shkolla si pjesë e edukimit.
Psikologia Valbona Treska shprehet se ky film u ka hapur sytë të rriturve mbi realitetin e fëmijëve të tyre jashtë mureve të shtëpisë.
“Ky film i shokoi prindërit, të rriturit, kur panë mënyrën si janë adoleshentët sot. Është një film që mori veçanërisht vëmendje, pasi u tregoi të rriturve sesi është jeta e një adoleshenti jashtë banesës, çfarë bëjnë ata, si ndikohen nga shoqëria, bullizmi, fenomenet negative dhe rrjetet sociale,” – thotë ajo.
Psikologët, që janë çdo ditë pranë adoleshentëve, thonë se i njohin më mirë nga afër ndjeshmëritë e tyre. Por a ndodh e njëjta gjë me prindërit?
“Prindërit fokusohen tek notat, sjelljet e mira që adoleshentët duhet të bëjnë, dhe nuk arrijnë të kapin elemente dhe sinjale që adoleshentët na lënë gjithmonë për të kuptuar që ka një problematikë aty,” thekson Treska.
Problemet që shfaqen në shkollë apo në shoqëri janë shpesh vetëm maja e ajsbergut. Sipas specialistëve, shumë prej adoleshentëve vuajnë në heshtje.
“Ankesat më të mëdha të adoleshentëve sot janë se ndihen shumë vetëm, të izoluar, sepse edhe teknologjia ka ndikuar për t’i rritur të tërhequr, të mbyllur në vetvete,” – shton psikologia.
Seriali “Adoleshenca” është bërë një thirrje për ndërgjegjësim – për prindërit, për mësuesit, por mbi të gjitha për një shoqëri që shpesh nuk arrin t’i dëgjojë të rinjtë e saj.