DURRËS, 9 janar 2014 – Dihet se çfarë dashurie ushqejnë fëmijët ndaj gjyshit / gjyshes apo dobësia që kanë ata për fëmijët e fëmijëve. Kjo është ana romantike. Por realiteti i sotëm ofron dhe ngjarje jo të zakonta kur zhbalancohen këto marrëdhënie në mënyrë të ndërsjellë. Në komunikatën për shtyp të drejtorisë së policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë has në dy ngjarje me adoleshentë e gysh kur raportet janë të përmbysura.
15 vjeçari, “ngrehur” mbi veturë
Të mërkurën, më 8 janar 2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për E. M., 15 vjeç, me banim në lagjen nr. 13 (Plazh), sepse rreth orës 9.00 paradite u kap nga blutë tek Ura e Dajlanit Durrës duke drejtuar Fiat Tipo me targa AA 028 HP. Ky adoleshent , natyrisht, nuk kishte lejë drejtimi. Makina i takonte gjyshit të vet, por që ia kishte marrë tinëz dhe e ngiste për qejf të vet në një bosht rrugor të mbingarkuar me trafik, sikurse është mbikalimi i Urës së Dajlanit.
18-vjeçare, e keqtrajtuar 
Po më 8 janar 2014 organet bregdetare të rendit regjistruan një denoncim të rrallë, ku një 18-vjeçare nga qyteti bregdetar kërkonte mbrojtje nga blutë se e keqtrajtonte gjyshi i saj, I. F., 69 vjeç. Me sa duket gjendja ka qene shumë e rënduar përderisa mbesa ankohet për dhunë fizike e psikologjike. Policia thotë se u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, duke e dërguar problemin para togave të zeza.
Shënim: Fotot nuk kanë bëjnë me personat konkretë të lajmit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





