· Anketa / 35.5 për qind e vajzave rome: marrëdhënia e parë që 10-14 vjeç

TIRANË, 2 maj 2013– Të rinjtë adoleshentë shqiptarë po hyjnë në marrëdhënie seksuale në një moshë që po vjen gjithnjë duke u ulur: 29 për qind e të rinjve kanë kryer marrëdhënie seksuale, me një moshë mesatare 15.2 vjeç, me hasje më të shpeshtë në grup moshën 16 vjeç (27.6 për qind), ndërkohë që vetëm 23 për qind e tyre kanë përdorur prezervativ.

Një kampion përfaqësues prej 2172 të rinjsh në të gjithë vendin ishte baza e një pyetësori që një grup mjekësh bënë për qëllime studimore mbi vlerësimin e sjelljeve seksuale tek adoleshentët shqiptarë.

Adoleshentët zakonisht fillojnë të bëhen seksualisht aktivë dhe fillimi i hershëm i aktivitetit seksual, rrit riskun për infeksione seksualisht të transmetueshme (IST) dhe për shtatzëni të padëshiruara, thonë studiuesit Lumturi Mërkuri, Arjan Harxhi, Irida Agolli, Anisa Subashi, Elsona Agolli.

Zonat urbane paraqesin shkallë më të lartë të marrëdhënies së parë seksuale para martesore në krahasim me zonat rurale.

Sipas studimit të shëndetit riprodhues të kryer në Shqipëri në vitet 2008-9, rreth 1 për qind e femrave dhe meshkujve të moshës 15-24 vjeç kanë kryer marrëdhënie seksuale para moshës 15 vjeç.

Kjo përqindje rritet ndjeshëm dhe rreth moshës 18 vjeç, 15 për qind e femrave dhe 23 për qind e meshkujve të grupmoshës 18-24 vjeç kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Fillimi i hershëm i aktivitetit seksual vihet re më shpesh te femrat rome, 35.5 për qind e të cilave kanë kryer marrëdhënien e parë seksuale në moshën 10-14 vjeç, krahasuar me 1.2 për qind të femrave në popullatën e përgjithshme.

Vetëm 11 për qind e popullatës rome raportoi të ketë përdorur prezervativ, në krahasim me 36 për qind të popullatës së përgjithshme, raportohet në studimin e botuar në “Medicus”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/