FRANCE, 25 prill 2013 – Franca është e shokuar pas vrasjes së trefishtë të kryer nga një adoleshent, që vuante nga probleme psiqike. Mediat franceze njoftojnë se ngjarja tragjike ka ndodhur në Istres, një qytezë pranë Marsejës.
I riu është arrestuar nga forcat e rendit dhe sipas informacioneve të para adoleshenti ka hapur zjarr në drejtim të automjeteve dhe personave që kalonin në rrugë.
Sipas të përditshmes Paris Match të vdekur kanë mbetur dy kalimtarë dhe një drejtues automjeti, ndërkohë që një grua është plagosur. Ngjarja është regjistruar rreth orës 14.00, por ende nuk janë zbardhur motivet që e shtynë të riun të qëllonte me kallashnikov. Që nga fillimi i vitit në Marsejë janë vrarë 10 persona me armë zjarri, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar ky numër ishte 24. Sipas policisë lokale pjesa më e madhe e të vrarëve në këtë mënyrë ka pasur lidhje me trafikun e lëndëve narkotike.
/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





