25 prill 2015 – Ministria e Brendshme e Shqipërisë e ka mbajtur sekret lajmin për aventurën e dashurisë së një adoleshenteje amerikane nga Tirana për në Samsun të Turqisë. Çuditërisht lajmi nuk i është kaluar as mediave pranë kësaj ministrie, që ta përdorin si skup, siç ndodh rëndom.

Atë që nuk e bën Ministria shqiptare e ka bërë Ministria turke duke ia kaluar lajmin mediave të Turqisë qoftë ato në gjuhën turke qoftë ato në gjuhën angleze si psh. 'Daily Sabah'.

Një adoleshente amerikane (vetëm 15-vjeçare) me inicialet C.T.K. u largua nga Aeroporti i Rinasit për në Aeroportin Ataturk të Stambollit. E ëma një afro-amerikane, që punon si pianiste në Tiranë dha alarmin pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë për zhdukjen e së bijës. Shqetësimi ishte i madh, sepse babai i vajzës është një shtetas amerikan (I ndarë me nënën e vajzës), por i etnisë izraelite. Pati hamendje, që “tërheqja” e vajzës në Turqi mund të ishte bërë nga terroristët e Kalifatit islamik për ta mbajtur peng për shkak të shtetësisë së saj amerikane dhe babait ebre. Ambasada amerikane në Tiranë kontaktoi ambasadën homologe në Turqi, e cila menjëherë bashkëpunoi me organet ligjzbatuese dhe ato të inteligjencës së Turqisë.

Adoleshentja amerikane u gjet në qytetin e Samsunit. Ajo thjesht kishte shkuar të takonte të dashurin e vet, një refugjat iraken me inicialet M.A. Vajza ishte njohur me të nëpërmjet rrjeteve sociale. Tashmë nëna dhe vajza janë së bashku dhe pritet kthimi i tyre në Tiranë me avionin e radhës të kompanisë “Turk Hava Yollari”.

/Gj. Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/