Itali, 12 qershor 2014 – Nxënësja më e mirë për këtë vit në shkollën “Stefanini e Martini” të qytetit të Trevizos është shpallur shqiptarja Emi (Amy) Kokalari nga familja e famshme e Kokalarëve të Gjirokastrës. Ami është e vetmja nga gjithë nxënësit, që i ka të tëra notat dhjeta. 14 vjeçarja shqiptare ka lindur në Trevizo, në një familje të thjeshtë, por arsimdashëse. Nëna e saj Elvira është shtëpiake, ndërsa babai i saj Besimi, i diplomuar inxhinier, punon si punëtor i thjeshtë.

Zonjusha Kokalari është jo vetëm një nxënëse e shkëlqyer, por edhe një talent muzikor. Ajo shquhet për pjesëmarrjen e saj në korin “Zërat e bardhë”, të shoqatës muzikore “ Manzato “. Emi ka marrë pjesë në 40 koncerte gjatë këtij viti shkollor. Hobi i Emit krahas dhjetave në shkollë është edhe muzika, baleti klasik dhe dansi modern.

Koloneli në pension, Augusto Kostandini, 90 vjeç, ish ushtarak italian i internuar në kampet e përqëndrimit të Rajhut të Tretë, edhe këtë vit ka dhënë 5 bursa studimi për nxënësit më të mirë të Trevizos. Njëra nga bursat ju dha Emit, që i mundësoi asaj regjistrimin në liceun e gjuhëve të huaja të Kanova-s (Canova), dhe ndjekjen e një kursi për gjuhë të huaj gjatë verës.

Emi, ndonëse e lindur në Itali, deklaron me krenari se “rrënjët” shqiptare kanë shumë vlerë për të. Ajo thekson se gjatë komunizmit familja e saj ishte një familje disidente, që e pagoi kundërshtimin e regjimit me mjaft pjesëtarë të familjes në burgime të gjata dhe disa të tjerë madje edhe u pushkatuan. Pikërisht për këtë Emi mëson fort për të dëshmuar se liria funksionon ( freedom works).

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/