12 Qershor 2014 – Numri i pikave të karburanteve do të ulet në rreth gjysmën e tyre, referuar shifrave të deklaruara nga drejtori i Inspektoratit Qendror Teknik, Adrian Çela, dhënë gazetës “Shqip”. “Nuk mund të vazhdojmë në këtë situatë, ku numri pikave të karburanteve në Shqipëri ka arritur në 1400 të tilla, ndërsa vendet fqinjë, si Maqedonia, kanë vetëm 200 pika”, shprehet Çela, duke shtuar se do të vendosen standarde europiane për hapjen dhe mbajtjen e pikave të karburanteve. Po të merret parasysh dendësia e popullsisë dhe kriteret teknike, numri pikave të karburanteve që i duhen vendit, sipas specialistëve, mund të ulet deri në 50 për qind. Ndërkaq, Inspektorati Qendror Teknik është i vendosur të zbatojë ligjin duke mos lejuar tregtimin e naftës dhe gazit jashtë standardeve. Gjatë muajit mars janë penalizuar rreth 20 subjekte, 12 prej të cilëve për mungesë dokumentacioni, 3 subjekte janë gjobitur për mosrespektim të standardit në përqindjen e squfurit si dhe 5 të tjerë për mosrespektim të standardeve për pikën e flakërimit. Gjatë tremujorit të parë për cilësinë e naftës dhe gazit, janë proceduar 172 subjekte.

Cila është pasqyra e problemeve që ka konstatuar Inspektorati Qendror Teknik nga kontrollet e ushtruara në subjektet që tregtojnë dhe përpunojnë karburante?

Shkeljet që rezultojnë nga kontrollet janë të natyrës administrative, si mospajisje me dokumentacionin e duhur, me lejet e kërkuara, pra me plotësimin e kushteve dhe kërkesave standarde për zhvillimin normal të aktivitetit. Por ka edhe shkelje të kërkesave mbi cilësinë e karburanteve, ku shmangen standardet kryesore, siç janë pika e flakërimit ose treguesi i përmbajtjes së squfurit. Ndërsa me pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm, problemet kryesore që hasen lidhen me mosplotësimin e kushteve teknike për ushtrimin e aktivitetit duke u kthyer në vatra rreziku për jetën e njerëzve.

Si keni vepruar me këto shkelje? Cilat janë sanksionet?

Për shkeljet, në bazë të ligjit ““Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, janë marrë sanksione të përshkallëzuara për secilin nga treguesit. Por të keni parasysh, që deri tani, kemi vepruar me sanksionet e vendosura në vitin 1999, ku gjobat janë të papërfillshme dhe një pjesë e fenomeneve të aktualitetit të kësaj industrie nuk reflektohen nga ligji i vjetër. Brenda këtij kuadri ligjor ne kemi vendosur sanksione maksimale. Me ndryshimet në ligj, që janë në diskutim për t’u miratuar, ku edhe Inspektorati Qendror Teknik ka bërë dhe i janë përfshirë shumë propozime, lejohet si sanksion publikimi i emrave të kompanive që kryejnë shkelje dhe kanë probleme me standardet e cilësisë. Por ne, prej disa muajsh, pasi u konsultuam me komisionerin e mbrojtjes së të dhënave personale, i kemi bërë publike kompanitë me shkelje. Ne mendojmë se ky është sanksioni më i mirë. Pra, kur publiku e ndëshkon me braktisje një subjekt, pasi mëson abuzimet e tij me cilësinë dhe standardet.

Ndërkohë, situata në terren ka nxjerrë probleme të reja që ligji nuk i ka parashikuar, si për shembull, falsifikimi. Për herë të parë, me ndryshimet e bëra në ligj, është futur përkufizimi i falsifikimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, me fjalë të tjera përzierja e tyre duke prishur standardin fillestar. Po kështu, krahas ashpërsimit të masave për shkeljet, parashikohet edhe sekuestrimi dhe procedurat për këtë rast.

Si veproni për mbledhjen e parave të gjobave? Po për shërbimet, a ka subjekte që nuk ju paguajnë?

Mbledhja e parave të sanksioneve është problem i pazgjidhur. Gjobat e vendosura nga inspektorati ynë nuk janë titull ekzekutiv, siç janë faturat e CEZ-it. Ne kemi trashëguar një situatë kur kompanitë kanë përfituar shërbimet e inspektoratit dhe janë debitore sepse nuk kanë paguar. Shuma është rreth 100 milionë lekë, por bëhet më e madhe, po t’i shtojmë edhe gjobat e papaguara, që janë rreth 300 milionë lekë. Një pjesë e kompanive i kanë kundërshtuar në gjykatë një pjesë të vendimeve, të cilat jemi duke i ndjekur. Ne po përdorim të gjitha rrugët ligjore për t’i detyruar këto firma të paguajnë. Disave ju kemi bllokuar aktivitetin, një pjese nuk ju ofrojmë më shërbime. Kemi disa marrëveshje me kompani private përmbarimi, por kemi mbetur të pakënaqur nga rezultati. Ka prej tyre që nuk kanë arritur të ekzekutojnë asnjë nga urdhrat që kanë marrë përsipër. Pra, puna e tyre është inekzistente.

Si rregullohet nga ligji i ri dhënia e lejes së karburanteve?

Ligji parashikon ndërveprimin e disa institucioneve, ndërkohë është ngritur një Task Force për pikat e karburanteve ku ndër të tjera parashikohet të vendosen standarde të hapjes së një pike karburanti. Do të ketë kritere të unifikuara për pikat e karburanteve, sepse një numër kaq i madh karburantesh që janë ngritur ndikojnë edhe në uljen e cilësisë. Qeveria do të vendosë standarde europiane, pra nuk mund të vazhdojmë në këtë situatë, ku ne kemi 1300 deri në 1400 pika shitje karburantesh, kur Mali i Zi ka vetëm 100 të tilla, ndërsa Maqedonia 200 pika.

A është kjo paketë ndryshimesh zgjidhje për të gjitha problemet që ka industria dhe tregtimi i naftës?

Duhet një ligj i ri, sepse realiteti shqiptar ka ndryshuar, por kjo paketë që sjell 17 nene të reja u përgjigjet nevojave urgjente të momentit. Një problem që gjen pasqyrim në ligj është “legalizimi” i rafinerive dhe i impianteve të përpunimit të karburanteve që janë ndërtuar dhe funksionojnë aktualisht, por ligji aktual njeh vetëm 3 të tilla. Në fakt QKL ka licencuar disa subjekte në këtë sektor, të cilat ky ligj i inventarizon. Ishte bërë e domosdoshme dhe tani ndryshimet e trajtojnë kartën teknologjike, e cila duhet të aprovohet dhe monitorohet. Problem tjetër është gazi i lëngshëm, për të cilin përcaktohet mënyra e transportit, e ruajtjes, e tregtimit, standardi i bombolave dhe kushtet për ngritjen e pikave të shitjes. Në ligj futen tashmë edhe impiantet e përpunimit të vajrave lubrifikante, të cilat ishin lënë jashtë vëmendjes.

A po përgatiteni për zbatimin e “ligjit të ri” kur të hyjë në fuqi?

Janë përgatitur 10 akte nënligjore që do të çohen për miratim në qeveri menjëherë pas miratimit të mendimeve. Specialistët tanë po punojnë për tre ligje të reja, që po bëhen nga e para: “Për pajisjet nën presion”; “Për inspektimin e pajisjeve elektrike”; dhe “Biokarburantet”. Sigurisht këto kërkojnë edhe një riorganizim në inspektorat për t’iu përgjigjur sa më mirë detyrave të reja.

/Shqip