I veshur sportiv, me një këmishë të bardhë, pantallona blu dhe atlete në po të njëjtën ngjyrë është paraqitur në selinë e PS-së, koordinatori i qarkut të Durrësit, Adrian Çela, i cili po merr pjesë në mbledhjen që po zhvillon kryeministri Rama me drejtuesit politikë. Veshjen sportive, Çela e ka kompletuar me një palë syze trendi, shumë të ngjashme me ato që mban ditët e fundit kreu i qeverisë.

Ndërsa u prezantua rreth dy javë më parë në mbledhjen e asamblesë së PS Durrës nga vetë kreu i PS-së, Adrian Çela ka qenë prezent gjatë kësaj periudhe në takime të ndryshme të asambleve të PS Shijak e Krujë si dhe në takime me drejtues të lartë në bashkitë respektive dhe eksponentë të PS-së.

Ndërsa vetë mori përkohësisht pozicionin e drejtuesit politik të qarkut, Rama i ngarkoi kreut të OSHEE-së detyrën e koordinatorit të qarkut, terren që Çela e njeh mirë pasi në disa fushata zgjedhore lokale dhe parlamentare ka qenë përherë në krah të Vangjush Dakos.

Çela mbajti për rreth dy mandate detyrën e nënkryetarit të bashkisë Durrës, por në dhjetor 2014 atij iu besua posti i drejtorit të OSHEE, të cilin vazhdon ta mbajë edhe sot e kësaj dite.