DURRËS, 5 nëntor 2014– Nga ëndrra për t’u rikthyer në fushë te makthi i burgut. Telashe të reja në horizont për sulmuesin brazilian, Adriano. Ish lojtari i kombëtares Selecao u denoncua nga Ministria Publike e Shtetit të Rio de Janeiros për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatat kriminale për trafikun e drogës. Në rast se shpallet fajtor, atëherë Adriano rrezikon deri në 25 vjet heqje lirie. Aktualisht, sulmuesi është pa një skuadër por bisedimet për transferimin në Francë te Le Havre mund të rrezikohen nga hetimi i ditëve të fundit. Në denoncim, ministria nuk kërkon burgosjen e menjëhershme të lojtarit por marrjen e pasaportës së tij, pasi ai nuk duhet të largohet nga Brazili deri në përfundim të gjykimit.
Provat bazohen te një motor i blerë nga Adriano që më pas përfundoi në duart e vëllait të bosit të drogës Comando Vermelho. Gjithashtu, një tjetër motor i përdorur nga Adriano, dyshohet të jetë përdorur për veprime kriminale dhe shpërndarje droge. Tashmë prokuroria do të analizojë faktet për të marrë një vendim rreth të ardhmes së një prej lojtarëve që pak vite më parë cilësohej si pasuesi i Ronaldos dhe një prej emrave me më shumë peshë në futbollin botëror.





