Portesta e Nismës “Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt ka nisur që mbrëmjen e djeshme të 8 dhjetorit para Kryeministrisë, për disa çështje të cilat ai i ngre si shqetësim.
Gjatë mbrëmjes së sotme protesta ka vijuar dhe është shoqëruar edhe më një përplasje mes forcave të policisë dhe Lapajt. Ky i fundit deklaron në “Now” në Euronews Albania se protesta zhvillohet duke qenë pro drejtësisë, ndërsa nga ana tjetër, nënvizon se protesta do vijojë për ditë me radhë.
“U bashkangjitën vajza në protestë dhe menduam të vendosim dy çadra të vogla kampingu që ato të kishin një trajtim më etik, kjo për shkak të zhvillimit të protestës në kushte të vështira, sepse jemi në dimër. Ne e kemi njoftuar Policinë e Shtetit, por nuk kërkohet leje për të protestuar. Ne njoftuam me shkresë zyrtare dhe të mbash një çadër kampingu nuk është krim sa kohë nuk prishë punë.
Më pas u dyndën dhjetëra policë, me armë në brez dhe u sollën në një mënyrë jo normale pasi ne po diskutonim, ndërkohë që unë jam një ndër njerëzit që kam besuar te policia. Jam rritur në shpi me atë uniformë.
Jemi me një mesazh pro drejtësisë. U kemi bërë thirrje qytetarëve të na sjellin batanije, po vinë. Ne do rrimë këtu. Do rrimë shumë gjatë dhe do e bezdisim”, deklaroi Lapaj.





