Mjeti lundrues i sekuestruar nuk quhet Tabakosky, por Boka Sky (që nuk është cisternë, por rimorkiator), si dhe ndryshon emri i të arrestuarit, prandaj “Dyrrah”-u nuk publikon emrat e plotë, vetëm inicialet
DURRËS, 30 shtator 2013 – Ashtu sikurse paralajmëroi “Dyrrah”-u lidhur me ngjarjen e bujshme të “aferës së anijeve të skrapit”, uniformat blu bregdetare ndreqin dhe saktësojnë disa gabime në njoftimet për shtyp të së shtunës dhe së dielës. Në njoftimin e 30 shtatorit 2013, drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit thotë se më 28 shtator 2013, ora 22.00, nga ana e seksionit kundër krimit ekonomik është bërë arrestimi në flagrancë i dy durrsakëve: E. S. 46 vjeç (fillimisht u fol për E. K, 47 vjeç; me këtë rast informojmë lexuesit se “Dyrrah”-u nuk shënon emrat e plotë nisur nga parimi i prezumimit të pafajësisë dhe nga standardet ndërkombëtare të gazetarisë profesioniste) dhe E. Gj, 34 vjeç. Sipas organeve të rendit, arrestimi i këtyre shtetasve u krye, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të shtunën, më 27 shtator 2013, rreth orës 12.00, kanë bregëzuar ne kalatën 4 të portit anijen cisternë Boka Sky (fillimisht u shënua Tabakosky, që, sikurse tha “Dyrrah”-u, nuk eksiton si emër) e dalë jashtë funksionit, në pronësi të E. S., e tërhequr me rimorkiatorin Alex 1 me kapiten E. Gj. Nga veprimet e para hetimore rezulton se ky mjet lundrues është ankoruar pa lejen e kapitanerisë së Durrësit (tani merret vesh se kush u ankua), si dhe dyshohet të jetë futur kontrabandë nga Mali i Zi. Nga policia po punohet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Është bërë sekuestrimi si provë materiale i anijes cisternë, e cila mendohet se destinohej për skrap, si dhe i rimorkiatorit Alex 1, si mjet i kryerjes së veprës penale. Materialet hetimore iu përcollën prokurorisë së rrethit gjyqësor të Durrësit për veprat penale të kontrabandës me mallra të tjera dhe kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyre shtetërore ose një shërbim publik”. Gjithsesi, edhe lloji i mjetit lundrues Boka Skyshkakton dyshim: nuk është cisternë (tanker) sikurse raporton anti-krimi ekonomik, por rimorkiator (tug), sipas portalit http://www.shipspotting.com/
Info për fotografinë kryesore
Emri i mjetit lundrues: Boka Sky, foto më 10 qershor 2013; në kantierin detar në detin Adriatik, në gjirin Boka e Kotorit, Mali i Zi. Numri i identifikimit në Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO): 6620321; shenja e thirrjes: 4OBI; flamuri malazez; emri i mëparshëm deri në maj 2011: Bravo; tipi: rimorkiator; pesha plot: 218 tonë; pesha vetjake: 100 tonë. Viti i ndërtimit: 1966; ndërtuesi:Azimut Benetti, Viareggio, Itali. Mali i Zi nuk ka raportuar në IMO shitjen dhe destinacionin e rimorkiatorit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





