TIRANE, 01 mars 2013 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bën të ditur se nuk ka informacione që produktet e qumështit në Shqipëri paraqesin ndonjë rrezik për shtetasit amerikanë në vendin tonë. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare në internet, Ambasada Amerikane kujton se niveli i lejuar i aflatoksinës në qumësht në vendet e BE-së dhe në Shqipëri është shumë më i ulët se sa niveli i lejuar në SHBA. 

Megjithatë Ambasada rekomandon që si masë paraprake shtetasit amerikanë të evitojnë firmat e qumështit që kanë rezultuar me nivel aflatoksine më të lartë se norma e lejuar me ligj, duke theksuar se kjo lëndë mund të jetë e dëmshme në doza tepër të larta dhe pas një përdorimi të gjatë. 

Ambasada fton gjithashtu shtetasit amerikanë që për çdo informacion të nevojshëm t’i referohen edhe deklaratës zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili i ka kërkuar të gjitha kompanive të publikojnë produktet që kanë nivel më të lartë aflatoksine se sa niveli i lejuar nga BE, deri në daljen e rezultateve përfundimtare të testimeve që po kryhen.