Aflatoksina nuk u zhduk nga fermat shqiptare edhe pas aksionit të nëntorit të AKU-së, ku u bllokuan 420 tonë misër nga Serbia, të kontaminuar me mykotoksinën e rrezikshme që shkakton sëmundje tumorale.
Aksioni i urdhëruar nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dështoi, pasi magazinat e tregtarëve që kishin misër me myk në gjendje nuk u pastruan dhe, si pasojë, ky ushqim blegtoral po vazhdon të shitet në fermat e kafshëve.
“Duhet t’u referohen të gjithë regjistrave të importit në pikat e kontrollit kufitar, të shikojnë prurjet brenda një viti dhe të gjitha bizneset që kanë importuar misër nga Serbia duhet t’i nënshtrohen patjetër kontrollit për aflatoksinën”, tha mjeku veterinar Ymer Elezei.
Kjo lëvizje e pasuksesshme për të garantuar sigurinë ushqimore te blegtorët shkaktoi krizë. Prej një muaji ata nuk po shesin asnjë litër qumësht, pasi industria ka vendosur që kësaj here të prodhojë pastër. Që historia të mos përsëritet, kontrollet e AKU-së duhet të nisin që në doganë.
“Dhe ky problem duhet të mbyllet brenda pikave të kontrollit kufitar. Aty duhet të jetë inspektimi dhe nuk duhet të dalë në treg derisa të dalin rezultatet e analizave laboratorike”, tha mjeku veterinar Ymer Elezei.
Aflatoksina konsiderohet si një nga toksinat më të rrezikshme për jetën tonë.





