JOHANESBURG– Afrika e Jugut quhet shpesh “kryevendi i përdhunimeve”, pasi llogaritet që mbi 70 për qind e grave janë abuzuar seksualisht. Këtë javë, 5 burra sulmuan dhe përdhunuan në grup një vajzë në kryeqytetin Pretoria. Nën hijen e një sulmi të ngjashëm në Indi, i cili mobilizoi miliona njerëz të dilnin nëpër rrugë në protesta, aktivistët në Johanesburg thonë se popullsia e këtij vendi qëndron indiferente ndaj këtij fenomeni.
Policia thotë se gruaja e re po priste në radhë të martën gjatë natës për t’u regjistruar në Universitetin Tshëane të Teknologjisë. Pesë burra e tërhoqën zvarrë në errësirë, e përdhunuan dhe i morën paratë dhe telefonin. Policia thotë se nuk ka arrestuar ndonjë të dyshimtë.
Kur një studente në Neë Delhi u përdhunua në grup nga 6 burra, u rrah dhe u la të vdiste muajin e kaluar, ky akt i shëmtuar ngjalli protesta masive në mbarë Indinë.
Babai i viktimës njoftoi kohët e fundit emrin e saj, Jyoti, i cili në hindu do të thotë “dritë”. Kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen e mbarë botës për përdhunimet në Indi. Pesë prej 6 të dyshuarve për përdhunimin e saj dolën para gjykatësit në Neë Delhi dhe u akuzuan për rrëmbim, përdhunim në grup dhe vrasje. Veprimi me shpejtësi kaq të madhe nga ana e autoriteteve të rendit është i padëgjuar në një vend ku zakonisht kalojnë disa muaj para se prokurorët të përgatiten për fillimin e gjyqit.
Policia e Afrikës së Jugut dokumentoi mbi 64 mijë përdhunime vitin e kaluar dhe kjo shifër përfshin vetëm rastet e njoftuara, ndërkohë që sulmi seksual është një prej krimeve më të panjoftuara në të gjithë botën.
Një studim i vitit 2010, që citohet shpesh, arriti në përfundimin se mbi 25 për qind e burrave afrikanojugorë e kanë pranuar të kenë përdhunuar një vajzë ose një grua. Një në 7 burra pranuan se kishin përdhunuar në grup.
Zoti Dangor thotë se asnjë grua nuk është e sigurtë nga përdhunimi dhe mes viktimave ka bebe, vajza dhe gra të moshuara.
Afrika e Jugut është përballur gjithashtu me nivele tepër të larta abuzimi. Sipas statistikave qeveritare, 90 për qind e femrave kanë përjetuar abuzim emocional dhe fizik, ndërsa 71 për qind e tyre kanë përjetuar abuzim seksual.
Derisa autoritetet të kenë sukses në luftën kundër këtij fenomeni, ka të ngjarë që rreth 175 vajza dhe gra afrikanojugore të përdhunohen në ditë dhe kjo gjendje rrezikon të vazhdojë gjatë.