Afrimi i të rinjve me tregun e punës nëpërmjet praktikave profesionale dhe specializimeve në fushën e detarisë, është qëllimi i planit të veprimit të përbashkët mes Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Bashkisë së Durrës, Autoritetit Portual Durrës dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit.

Nëpërmjet Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare, Porti i Durrësit shpalli Programin e Specializimit dhe Praktikave Profesionale në fushën e administrimit portual, ku në këtë fazë të parë do të jenë 10 të rinj që do të përfitojnë eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën portuale.

Kreu i APD-së, Pirro Vengu, pohoi se Sektori i detarisë është në zhvillim dhe rotacion të përhershëm ndaj është shumë e rendesishme rekrutimi i të rinjve.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, bëri të ditur se Bashkia do të shpërndaje 2000 kartat e para për studentët e UAMD-së, të cilat nuk janë vetëm një mjet për të përfituar shërbime me çmime të reduktuara, por në lëmin e shërbimeve të saj studentët krijojnë ura komunikimi si për praktika profesionale ashtu edhe punësim.

Rektorja e Universitetit “Aleksandër Mosiu” Durrës, Kseanela Sotirofski, pohoi se nevoja e lidhjes së studentëve të sapodiplomuar me tregun e punës është një formë efikase për ti integruar ata me tregun tonë të punës, duke i orientuar drejt profileve që garantojnë punës të menjëhershëm pas studimeve.