Sinoptikani Hakil Osmani ka paralajmëruar se vendi ynë do të goditet një valë e pazakontë të nxehti. Temperaturat kapërcejnë pas të mërkurës.

“Sot deri të martën mbeten temperaturat rreth vlerës 32 apo 33 gradë celsius në orët e mesditës në zona të ulëta ndërsa sa i përket vlerave minimale do të jenë jo më shumë se 11 gradë në zonat malore në orët e para të mëngjesit.

Pas ditës së mërkurë kemi ndryshim sa i përket tablosë termike duke bërë që të kemi rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit. Maksimumet në qytetet e zonës së ulët pritet të ngjiten edhe në 37 gradë.

Ditët e fundit të qershorit pritet të sjellin temperatura shumë të larta deri në 8 apo në 9 gradë më të larta duke bërë që të jenë shumë të nxehta ditët e fundit të qershorit. Pas të mërkurës vendi do përfshihet në temperatura shumë të larta.

Nuk është normale rritja e temperaturave pasi duhet të luhateshin nga 28 deri në 29 gradë. Kjo vjen si pasojë e afrimit të një vale të nxehti i cili po godet vendin tonë dhe do sjellë temperatura ekstremisht të larta në vendin tonë. Temperatura jo normale gjatë kësaj jave që vjen”, tha ai.

Temperaturat rekord kanë përfshirë edhe vende të tjera. Spanja po përjeton një valë të keqe të të nxehtit. Temperaturat këtë muaj arritën në nivelin më të lartë në 40 vjet.

Në disa pjesë të vendit janë shënuar temperatura mbi 40 gradë Celsius, rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren, çka po shkakton shqetësime të mëdha.