Një bibliotekë më pak. Më pak mundësi për të qenë pranë librit, më pak mundësi për të mbajtur fëmijët të lidhur me të deri në ndërtimin e një biblioteke të re, që kërkohet prej vitesh e nuk vjen. Me shumicë votash Këshilli Bashkiak i qytetit tonë miratoi kërkesën për privatizim të objektit, Bibliotekës së Fëmijëve.

Në mbledhjen e fundit të këtij këshilli, që u karakterizua nga debatet e zakonshme dhe përplasja me epitete zhurmuese mes dyshes Dako-Teliti, rivalë në garën elektorale lokale të vitit 2007, tërhoqi vëmendjen një votë e vetme abstenimi. Vota e një qytetari, që ndonëse e dinte që vota e tij nuk do ta zhbënte procesin, pasi nuk kishte kthim pas në procesin e privatizimit të bibliotekës shprehu shqetësimin personal dhe të qytetarëve që ai përfaqëson në parlamentin tonë lokal.

Ishte i vetmi këshilltar që ngriti zërin jo thjesht kundër privatizimit të objektit, po të asaj që ky objekt përfaqëson. Ish-deputeti dhe poeti Bardhyl Agasi argumentoi votën e tij duke ftuar që përtej përkatësisë politike, përplasjeve shpesh të detyruara në emër të saj, çështje të caktuara me interes të gjerë publik të shihen më thellë. Sepse vërtet ka çështje që na interesojnë të gjithëve dhe kthimi i pronës te i zoti duhet të vlerësohet e miratohet rast pas rasti nga autoritetet qendrore dhe vendore.

Kryesor mbetet interesi publik dhe në mbështetje të tij ekziston edhe baza ligjore e kompensimit financiar. Gjithsesi duhet pranuar se Biblioteka e fëmijëve të Durrësit ndodhet ose më saktë ndodhej buzë një rruge urbane, në katin e parë të një godine banimi, me hapësirë zero për fondin libror. Ky pozicionim ishte i papranueshëm dhe një shqetësim i vazhdueshëm për prindërit dhe stafin e bibliotekës.

Po në kushtet, kur qyteti që mbart në të sotmen trashëgiminë e qytetarisë dhe dijes, që nga lashtësia, nuk e ka “luksin” të ketë një godinë për librin ekzistenca e bibliotekës së fëmijëve ishte një dritare e hapur për dijen, librin dhe marrëdhëniet e tij me fëmijët e zhvillimin e tyre. Çmimet e librave dhe problemet sociale të mjaft familjeve i mbajnë shumë prindër dhe fëmijë larg librit personal dhe e bën gjithnjë të shfrytëzueshme fondin e një biblioteke fëmijësh.

Në lëngim

Që prej vitit 2002 në zyrën e Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit është dorëzuar nga stafi i Bibliotekës Publike një skicë-ide për bibliotekën e re në një sipërfaqe trualli prej 660 m2 dhe me elementët e nevojshëm teknikë në respektim të parametrave unikalë të bibliotekonomisë.

Në kohë të ndryshme, ky staf i është drejtuar opinionit publik përmes mediave, Këshillit të intelektualëve të bibliotekës, lexuesve të saj, Dhomës së Industrisë e Tregtisë Durrës, shoqatës së biznesmenëve, Klubit të Shkrimtarëve, shoqatave “Durrësi”, “Ulqini”, “Artisti i Ri”, bibliotekave shqiptare dhe shoqërisë civile për t’u angazhuar në zgjidhjen e problemit që mban emrin godinë-strehë librash e dijesh që të mirëpresë lexuesit dhe teknologjinë e re në këtë fushë.

Biblioteka e fëmijëve dhe të rriturve nuk dallohet thjesht për mundësitë që ofron në drejtim të edukimit, por është një institucion me strukturë socialkulturore që ndikon në formimin e elitave, është pjesë e identitetit dhe trashëgimisë sonë të përbashkët, asaj trashëgimie të veçantë që një gjeneratë ia lë gjeneratës tjetër me krenari.

Është një institucion që përmes strukturës së saj na ofron integrimin nëpërmjet informacionit të lirë dhe art-kulturës së shkruar, shërben si një urë lidhëse mes dijes së sotme dhe historisë së djeshme e të lashtë duke shtruar rrugën për ndërthurjen e e traditës së të shkruarit dhe teknologjisë së sotme, gjithnjë në funksion të pasurimit mendor dhe shpirtëror të njeriut që duhet të nisë herët.

Ja, pse abstenimi i Agasit duhet të shërbejë si këmbanë reflektimi për këdo, jo për rezultatin e munguar, po për ftesën për të menduar përtej situatës që paraqitet e kërkon një zgjidhje, duke cënuar e krijuar një tjetër problem. Biblioteka është një institucion që duhet mbrojtur e përderisa nuk e kemi duhet ringritur, pa u lënë pas dore për shkak të së ashtuquajturës krizë që shoqërohet me ulje shpenzimesh nga administrata lokale.

Janë paratë e taksapaguesve durrsakë dhe me siguri që askush prej tyre nuk do të protestonte kundër orientimit të fondeve në drejtim të rimëkëmbjes së një institucioni që promovon vlera, edukim e zhvillim, po që aktualisht lëngon.

RETRO

Premtimi i vendorëve

Pas muaj më parë nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Adrian Çela pati deklaruar për “Dyrrah” se biblioteka e re do të ndërtohet brenda këtij mandati. Gjithsesi, ndërtimi i shtëpisë së librit mbetet ende në fazën e projekt idesë. Megjithëse prej gati 15 vitesh theksohet gjithnjë e më shumë si nevojë urgjente ngritja e një biblioteke të re apo zhvendosja e asaj ekzistuese në ambiente të tjera nuk dihet se kur do të ndodhë kjo gjë. Reduktimet e shumta që ka pësuar buxheti bashkiak paraqiten nga drejtuesit vendorë si shkaku kryesor i vonesës në këtë drejtim. Gjatë fushatës zgjedhore kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, paraqiti projektin për ndërtimin e bibliotekës tek Muzeu i Dëshmorëve, aty ku praktikisht është vendosur biblioteka britanike. Projekt ideja konsiston në ngritjen e një qendre multifunksionale përmes rivitalizimit të muzeut ekzistues. Projekti i muzeut vlerëson rimodelimin e të gjithë hapësirës së gjelbërt përpara godinës ekzistuese dhe zëvendësimin e brezares aktuale me një ndërtesë të re.