Ne humbëm dhe Presidentin e Republikës, të cilin kishim një shans të madh për ta fituar. Kjo është për të ardhur keq, pasi PS nuk i ka njohur kurrë humbje të tilla të njëpasnjëshme. Unë mendoj se urrejtja e Edi Ramës ndaj Fatos Nanos vjen nga zakoni i keq që ka Rama dhe një pjesë e shqiptarëve. Ai nuk mund të dalë përtej inateve personale, për të parë interesat e PS-së dhe vendit.

Pas humbjes së shansit për t’u bërë presidenti i gjashtë i Shqipërisë, lideri historik i PS-së, Fatos Nano, ka paralajmëruar se do t’i rikthehet politikës aktive. Në deklaratën e lëshuar prej tij me rastin e 21 vjetorit të themelimit të PS-së ai shkruante: “Unë tashmë u vetëofrohem të gjithë socialistëve dhe popullit opozitar që së bashku të marrim fatet e Partisë Socialiste dhe të Shqipërisë në duart tona“. Por çfarë mendojnë socialistët dhe mbështetësit e tij për këtë lëvizje të re të Nanos dhe për mënyrën sesi lideri aktual i PS-së Edi Rama e menaxhoi të gjithë situatën politike për zgjedhjen e Presidentit të Republikës? Bardhyl Agasi, ish-deputeti socialist dhe mbështetës i përhershëm i Fatos Nanos fajëson kreun e selisë rozë për mundësinë që i dha mazhorancës për ta zgjedhur kreun e shtetit nga rradhët e saj. “Edi Rama tregoi një vogëlsi shpirtërore dhe mendore duke mos propozuar si kandidaturë Fatos Nanon”,- deklaroi Bardhyl Agasi në një intervistë për “Dyrrah”. Duke i vlerësuar si harakiri politike veprimet e fundit të Ramës, Agasi tha se ka ardhur koha që dikush t‘i tregojë atij rrugën e duhur që e çon PS-në në fitore dhe vendin drejt integrimit.

Z. Agasi, si e vlerësoni proçesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës?

Mendoj se është zgjedhur një nga figurat kryesore të PD-së, që është dhe ministër i brendshëm. Si qytetar i Shqipërisë e uroj z.Nishani për detyrën e re dhe uroj me gjithë shpirt që ai të jetë vërtetë në rolin e Presidentit të Republikës, rolin që në të vërtetë ia ka përcaktuar kushtetuta e republikës së Shqipërisë.

Si e vlerësoni rolin e PS-së në këtë proçes?

Partia Socialiste ka bërë gjithë atë luftë, gjithë atë zhurmë për një proçes dhe rezultati ka dalë përsëri negativ për Partinë Socialiste. Me një fjalë u bë shumë zhurmë për asgjë. Lufta politike e PS-së nuk dha rezultatin e pritur. Palët politike treguan dhe një herë se nuk merren vesh për çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me integrimin e vendit. Unë i përkas atyre zërave që thonë se edhe për figurën e Presidentit të Republikës ka garë. Nuk kam qenë utopik duke menduar se mund të zgjidhej një figurë konsensuale në kuptimin e plotë të fjalës. Për këtë po ju jap disa shembuj. Presidenti i SHBA-së, Barak Obama ka fituar me mbi 50%, po kështu Presidenti i Francës, François Holland ka fituar me mbi 50%, gjë që do të thotë se 49% nuk kanë qenë me Presidentin Obama apo me  Presidentin Holland. Në Shqipëri gjithashtu nuk mund të konceptohet një figurë që mund të duhet nga i gjithë populli dhe spektri politik totalisht. Ajo që dua të them është se kur zgjidhet Presidenti, ai i lë pas interesat politike dhe bëhet i të gjithë palëve, ashtu si veprohet në një vend të vërtetë demokratik. Unë këtë uroj dhe për Presidentin aktual, Bujar Nishanin.

Unë nuk mendoj se PS-ja ka bërë detyrën e saj duke heshtur me preteksin se nuk ka numrat. Votimi ishte i fshehtë dhe asgjë nuk dihej. Praktikat e deritanishme kanë treguar se votimi i fshehtë jep surpriza. Kujtoj se Presidenti i mëparshëm u zgjodh me votat e socialistëve. Mund të zgjidhej dhe një figurë socialiste nëse do të ishte në atë lartësi, me atë reputacion dhe përvojë që të gëzonte dhe respektin e palës kundërshtare. Kjo figurë nuk mund të ishte domosdoshmërisht anëtar i PS-së. Mund të ishte dhe një figurë e propozuar nga PS, anëtar i shoqërisë civile. Gjithsesi unë mendoj se duhej të ishte njeri politik i respektuar dhe i pranueshëm nga të gjitha palët në Parlament. Partia Socialiste i kishte të gjitha mundësitë për të gjetur figura.

Cila mund të ishte sipas jush figura më e goditur që mund të propozonte PS-ja?

Unë mendoj se duhej të ishte patjetër Fatos Nano, për shumë e shumë arsye. Së pari mund të them se Fatos Nano ka një përvojë të gjatë politike. Ai është i njohur për frymën perëndimore (siç e tha dhe një nga opozitarët z. Ngjela), ai ka transformuar një nga partitë më staliniste të Europës, duke e bërë një parti moderne demokratike, anëtare të internacionales socialiste. Ka treguar se është një njeri tolerant dhe që nuk e njeh hakmarrjen. Ka ditur të falë dhe kundërshtarë të cilët e kanë burgosur. Ka treguar se di të japë dorëheqjen, di të zbatojë rregullat, di të zbatojë statutet. Nano është një figurë e majtë dhe a do të kishte kandidaturë më të mirë për president dhe sipas të gjitha gjasave një president më të mirë se Fatos Nano?

Si e shpjegoni ju heshtjen e gjatë të z. Nano, para zhvillimeve politike për zgjedhjen e presidentit?

Ai ka heshtur për të pasur një distancë nga të dyja palët dhe për të pasur një vizion më bashkëkohor, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës në ambicien e tij për President të Republikës. Nëse Nano do të ishte President, ai do ta nderonte Shqipërinë dhe jashtë vendit. Unë mendoj se Partia Socialiste dhe Edi Rama i kanë një borxh shumë të madh Fatos Nanos. Ishte ai që e bëri Edi Ramën ministër dhe e propozoi dy herë për Kryetar Bashkie. Këtu mirënjohja e Ramës i ka humbur vlerat e saj njerëzore, por unë do ta kap në aspektin politik. Partia Socialiste duhej që ta kandidonte Fatos Nanon. Edi Rama tregoi një vogëlsi shpirtërore dhe mendore. Nëse do të kandidohej Fatos Nano për  President, i kishte të gjitha premisat që të mund të fitonte. Heshtja që mbajti PS-ja dhe Edi Rama kishte lidhje me faktin e thjeshtë, që nuk donin që ta kandidonin apo që në postin e Presidentit të Republikës të vendosej Fatos Nano. Kjo tashmë është e qartë si drita e diellit.

Nga PS ka pasur akuza se Fatos Nano ka mbajtur qëndrime kritike ndaj selisë rozë. Cili është komenti juaj?

Pse, Edi Rama nuk ka mbajtur qëndrime ndaj PS-së?! Ju kujtoj se në vitin 2005 kryetari aktual i Partisë Socialiste shkonte në Shkodër dhe i thoshte popullit të Shkodrës se Partia Socialiste ju ka mashtruar dhe nuk ka bërë asgjë për ju. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të Edi Ramës?! Unë kujtoj se në zona të caktuara ku kandidonte Partia Socialiste me deputetët e saj, Edi Rama donte kandidatura të tjera. Edhe Fatos Nano mund të ketë gabimet e tij, por ama nuk mund të mohohet roli i tij prej 15 vitesh si themelues e drejtues i PS-së. Kishte dhe figura të tjera të rëndësishme që do t´i hiqte kapelen edhe mazhoranca aktuale, por nga dëshira për të mos zgjedhur Fatos Nanon u fshinë edhe figura të tjera të cilat sot mund të ishin në postin e Presidentit të Republikës. Gjithsesi zgjedhja aktuale e Presidentit të Republikës është kushtetuese.

Tashmë është e qartë që Berisha u tregua një politikan i klasit të parë. Ai arriti që të japë një figurë si Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, jashtë palëve politike, me grada shkencore, profesor doktor, ambasador prej tetë vitesh në shtetin më të madh të BE-së. Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk nxorën asnjë shkak për të kundërshtuar z. Zaganjori, por bënë njëkohësisht autogol, pasi Berisha i vuri gështenjat e nxehta në dorë, duke u thënë se: “Ja u dhashë figurën jo partiake, profesionale dhe me reputacion si e kërkuat, por nuk e deshët“. E njëjta gjë dhe me kandidatin tjetër Artan Hoxha. Pas kësaj Berisha kishtetë drejtën e tij për të zgjedhur në mënyrë kushtetuese. Askush nuk mund t´i thotë Berishës se kjo është një zgjedhje që nuk mund të pranohet, kur është një zgjedhje kushtetuese dhe e përmban kushtetuta. Kjo është një humbje e madhe për opozitën. Ne humbëm dhe Presidentin e Republikës, të cilin kishim një shans të madh për ta fituar. Kjo është për të ardhur keq, pasi PS nuk i ka njohur kurrë humbje të tilla të njëpasnjëshme.

Pse Edi Rama ka kaq shumë alergji apo frikë nga Fatos  Nano? A mos i trembet një rikthimi të tij në PS?

Nuk mund të them se ka apo nuk ka frikë, pasi partinë aktualisht pothuajse e zotëron Edi Rama, pavarësisht se ka ardhur nëpërmjet një votimi antistatus dhe antikushtetues partie. Unë mendoj se urrejtja e Edi Ramës ndaj Fatos Nanos vjen nga zakoni i keq që ka Rama dhe një pjesë e shqiptarëve. Ai nuk mund të dalë përtej inateve personale, për të parë interesat e PS-së dhe vendit. Unë e kam theksuar këtë edhe në një poezi timen në librin e fundit, ku dy figura emblemë të kësaj Shqipërie si Fan Noli dhe Faik Konica, nuk kanë arritur që të merren vesh. Është fakt historik që Konica i madh i dërgoi një letër Departamentit Amerikan të Shtetit, ku i kërkoi këtij departamenti që Fan Noli të mos pranohej në SHBA. Imagjinoni pastaj se ç‘bën Rama me shokë. Ndonëse u bënë mbi 20 vjet demokraci, akoma nuk jemi formuar me kulturën demokratike.

Cili është opinioni juaj në lidhje me Lëvizjen Nano dhe kritikat e forta ndaj Edi Ramës?

Në fakt lëvizja më e fundit Nano ka zgjuar interes të përgjithshëm, veçanërisht te anëtarët dhe simpatizantët e PS-së. Ka dhe nga ata që shqetësohen se çfarë po ndodh me PS-në, mos po përçahemi etj. Mua më vjen mirë që dhe Fatos Nano e ka parë veten dhe lëvizjen brenda PS-së. Fare mirë ai mund të krijonte një parti tjetër që mund të sillte probleme në këtë drejtim. Brenda PS-së gara le të mbetet e hapur. Ai që do të fitojë më tepër besimin e socialistëve, ai do të fitojë. Mendoj se kjo lëvizje është e shëndetshme për PS-në, duke parë pasivitetin aktual që e karakterizon selinë rozë dhe paaftësinë totale të lidershipit aktual të saj. Çdo socialist mund të konkurojë te PS-ja dhe jo më Fatos Nano që ka bërë burgun për PS-në. Përsa i përketkritikave të z. Nano ndaj Edi Ramës mendoj se janë të drejta dhe i shërbejnë PS-së. Edi Rama po bën harakiri politike, gjë që do të thotë se dikush duhet t‘i tregojë rrugën e duhur që e çon PS-në në fitore dhe vendin drejt integrimit.

A ka realisht Nano mbështetje te PS-ja?

Megjithëse ka kaluar shumë kohë dhe spastrimet janë bërë, duke eleminuar mjaft figura të njohura të PS-së (gjë që e verifikova dhe në takimin me rastin e festës së partisë), mendoj se Fatos Nano nuk fshihet kollaj nga historia e PS-së. Unë jam i sigurtë që brenda PS-së ka shumë që e mbështesin Nanon. Kjo mbështetje shtohet akoma në situatën aktuale në të cilën ndodhet PS-ja, që po shkon nga humbja në humbje. Ka ardhur koha që kursi të ndryshojë dhe PS-ja të shkojë në fitore që vjen përmes bashkimit të energjive pozitive dhe vizionit kombëtar dhe europian.