NGA BUJAR QESJA
Nuk jam ndeshur në jetë me një artist, të ketë patur shumë halle, brenga dhe të jetë shumë i varfër si Agim Staka. Pasuria e vetme që kishte, mbeti deri në minutat e fundit të jetës talenti i spikatur, mjeshtria e realizimit të punimeve në shumë gjini të pikturës. Nuk e dija, e mësova krejt rastësisht largimin nga jeta. Më erdhi shumë keq. Vinte gati përditë dhe më takonte. Kishte merak të madh të hapte një ekspozitë. Kishte punime pafund. Dhe ato ishin në adeziv, akuarel, termie (rimeso të mobiljeve), gdhendje në dru, pikturë – vizatim, bojë vaji, mozaik aplikacion, ngjitje me preçizion të lartë- kolazh etj.etj. Por nuk kishte kacidhe. Ishte shumë i varfër.
Bëri një jetë të vetmuar. Babai i tij, xha Leza ka punuar si korier në një organizatë masash dhe la të vetëm këtë Gim Stakë, që natyra i kishte dhënë mjeshtrinë artistike, por fati i kishte rezervuar vetminë dhe vuajtjet. Nuk mund të mos të përcjell Agim Staka pa thënë dy fjalë për ty. Ashtu si jetove, ashtu edhe u largove nga kjo jetë, me vetmi që të mundoi, të ligështoi por s’ta dëmtoi pasionin e jashtëzakonshëm për artin tënd të lindur.
Nuk mund të harroj, para se të nisja botimin e gazetës “Teuta Sport”, të kërkova ndihmë. Të kërkova të më bësh një sigël, që ta kisha në kokë të gazetës. Dhe bërë atë Teutë plot fantazi. Ishte Teuta e jotja, e artit tënd, e mrekullisë së fantazisë tënde, e shpirtit tënd si sportëdashës, që ia dhurove historisë së një botimi sportiv. Ti ishte dhe mbete i varfër, por brënda kësaj ishe dhe mbete shumë i pasur, për të falur pjesë të artit tënd.
U brengosa kur të erdha në banesën ku jetoje dhe ishe shumë ngushtë. Ti për shtroje dhe mbulesë, kishe krijimtarinë tënde. Ajo të ngrohte dhe ajo të mbeti deri në fund, pasuria më e madhe që krijove. Më takove një ditë dhe më the, që ke mbetur edhe pa shtëpi, pasi qameti që ra në Durrës ta shkatërroi edhe atë. Dhe nuk ta harrova nderin. Bëra një shkrim që u pëlqye, duke u frymëzuar nga arti yt, nga ai pasion që zor se mund ta ketë një i dytë.
Kam parë mrekulli aty, në atë sipërfaqe banimi, ku veprat e tua të artit ishin pjestarë të familjes tënde. Dhe më thoje, nuk jam vetëm. Ja kam tërë këto punime, me të cilat filloj ditën dhe kaloj natën. S’të ndihmoja dot, por hallin ta mbaja. Me ato pak lekë që kurseve nga fukarallëku yt, shkove deri në Barcelonë për të dhuruar portretet aq të gjalla të idhujve të futbollit dhe stemën mjeshtërore të këtij klubi. Është një punim milimetrik i bërë me rimeso dhe adeziv. Një punë e mahnitshme dhe mbinjerëzore. Po portreti i punuar në telajo i Bekenbaurit! Po portreti i humanistes së madhe Nënë Terezës! Po punimi në dru i stemës së klubit anglez të Liverpulit! Po personazhe të famshme të jetës politike amerikane!
Oh sa punime le pas, e nuk e di se cili pas kësaj do ti administroj. A do të dalë ndonjë bir nëne, të të bëj realitet ëndërrën tënde të hapjes së një eksozite?Dhe do të mbetem i sigurtë se po të ndodhë, do të ndjesh më shumë paqe në dheun e shtrenjtë të Durrësit tënd dhe ne do të ndjejmë më shumë qetësi, në plotësimin e asaj që nuk munde ta bësh për së gjalli.
Ti u largove Agim Staka, nga bota e jonë e frymëmarrjes. Ne dhe unë brenda saj, nuk do të shikojmë më. Do të më mungoj takimi me ty, duke dëgjuar hallet e shtuara të jetës. Por në një gjë jam i sigurtë: do të ndjej dhe do të prek krijimtarinë tënde artistike, që buronte nga një zemër e madhe, nga një shpirt i padorëzuar artisti, nga një njeri që iu fal artit deri në fund.
Lamtumirë Agim Staka, kujtesa e jonë e pa cënuar!
Durrës: 5 mars 2022