30 nëntor 2013- Pas kapjes së shqiptarëve në Kostur, Agimi i Artë, i kërkon qeverisë greke, bllokimin e kufirit me Shqipërinë, duke kërkuar ngritjen e kampeve, dëbimin e shqiptarëve, kthimin e ushtrisë në kufi etj. Kërkesa është bërë nga dega e Partisë Agimi i Artë në Kostur e cila ka dërguar një letër të hapur drejtuar autoriteteve më të larta qeveritare, duke kërkuar mbylljen e kufijve me Shqipërinë që shqiptarët të mos lejohen të hyjnë në territorin grek.

Në letrën me 9 propozime, gjithashtu kërkohet që në kufi të vendosen mina anti-njeri pasi në prefekturën e Kosturit janë shumë të shpeshta rastet kur shqiptarët kalojnë me shumë lehtësi në tokën greke. Nacionalistët e flaktë të Agimit të Artë ndër të tjera kërkojnë edhe ngritjen e kampeve, dëbimin e shqiptarëve dhe kthimin e ushtrisë në kufi me Shqipërinë.

Në letër, shqiptarët përshkruhen me urrejtje si trafikantë droge, armësh dhe qeniesh njerëzore, mafiozë, vrasës dhe kriminelë të rrezikshëm duke akuzuar se shqiptarët hapin probleme edhe për shtetin maqedonas.