Në muajin janar pritet të fillojë nga puna Agjencia e Parqeve Urbane të Durrësit, e cila do të menaxhojë dhe administrojë “Eco Park” dhe “Vala Park”.

Krijimit të agjencisë së re iu dha aprovimi në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak. Ajo do të ketë në përbërje131 punonjës, nga të cilët 111 do të merren nga sektori i gjelbërimit, që shkëputet nga Ndërmarrja “Rruga” dhe i bashkohet agjencisë së re. Ndërsa pjesa tjetër do të jenë punonjës në nivel specialisti dhe drejtues të agjencisë.  

“Eshtë bërë një studim që me të njëjtët kapacitete mund të mbulohen dy agjenci, agjencia për “Vala Park” dhe “Eco Park”. Godinat e shërbimit, të ardhurat janë për agjencinë e krijuar që do të shërbejnë edhe për mirëmbajtjen, sepse do të ketë shpenzime administrimi i dy parqeve urbane. Ndërkohë, përsa i përket ambienteve të përdorimit është për t’u vendosur mënyra sesi ato do përdoren. Të dy parqet publike nuk janë ambiente të thjeshta për t’u administruar nga një ndërmarrje, e cila ka disa funksione dhe është menduar që sektori i gjelbërimit të atashohet në agjencinë e re”,- deklaroi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi.

Aktualisht, funksional është vetëm “Vala Park”, ndërsa parku tjetër urban në zonën e Spitallës nuk është hapur për qytetarët.

Hapësira e re publike që i është shtuar lagjes nr.18 e ka kthyer ish-fushën e dikurshme të rërës në një park urban, ku mund të kalojnë kohën e lirë të gjitha grupmoshat. Mosha e tretë që e frekuenton atë gjatë paraditeve kanë një sugjerim drejtuar autoriteteve.

“Mirë do ishte të kishte stola që të uleshim ne pensionistët, se po ulemi në beton. Vetëm kjo mungon, se të tjerat mirë janë të gjitha”.

“Bukur është bërë, po të kishte më shumë lulishte se është vetëm çimento. Do rrëzohen fëmijët, do çajnë kokën. Ku do lozin tek ato kolovajset”,– thonë pensionistët.

Agjencia e re, drejtori i së cilës do të emërohet nga kryetarja e bashkisë, do të ketë për detyrë mirëmbajtjen dhe administrimin e parqeve,  ndërkohë që tarifat për përdorimin e ambienteve sportive do të shkojnë në funksion të mirëmbajtjes së këtyre hapësirave publike.

Tarifat për terrenet sportive janë propozuar tashmë, por ato pritet të marrin aprovimin gjatë miratimit të paketës së re fiskale në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak.

M.B.