Agjencia e OKB-së për motin njoftoi të enjten se viti 2023 është viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë ndërsa paralajmëron se ka shenja shqetësuese që sugjerojnë rritje të përmbytjeve, zjarreve, shkrirjes së akullnajave dhe valëve të të nxehtit në të ardhmen.

Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) paralajmëroi gjithashtu se temperatura mesatare për këtë vit është rritur rreth 1.4 gradë Celsius krahasuar me kohërat para revolucionit industrial. Rritja e regjistruar e temperaturave për këtë vit është vetëm një e dhjeta e kufirit të përcaktuar për deri në fund të shekullit nga Konferenca e Parisit mbi mjedisin, e mbajtur më 2015.

Sekretari i Përgjithshëm i OBM-së thotë se fillimi i dukurisë ‘El Nino’ në fillim të këtij viti, fenomeni i motit që ndikohet nga ngrohja në Oqeanin Paqësor, mund ta çojë temperaturën mesatare vitin e ardhshëm mbi kufirin e synuar prej 1.5 gradë Celcius, kufi ky gjithashtu i përcaktuar në Paris.

“Është e sigurt se gjatë katër viteve të ardhshme do ta arrijmë këtë rritje prej 1.5 gradë Celcius, të paktën në baza të përkohshme”, thotë Petter Taalas, Sekretari i Pëergjithshëm i OBM-së gjatë një interviste.

“Në dekadën e ardhshme ne do të jemi në atë nivel në një bazë të përhershme.”

OBM publikoi gjetjet duke shënuar fillimin e Konferencës Vjetore OKB-së mbi Klimën, të enjten.

Konferenca këtë vit mbahet në Dubai, qytetin e pasur me naftë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Agjencia e OKB-së thotë se pikë referimi për objektivin kryesor të marrëveshjes së Parisit, do të jetë nëse rritja prej 1.5 gradësh do të mbahet e tillë në një hark kohor 30-vjeçar, jo për një vit të vetëm. Të tjerë thonë se bota ka nevojë për më shumë qartësi për këtë.

“Sqarimi i qartë se çfarë përbën shkelje e shifrave të përcaktuara nga marrëveshja e Parisit do të jetë vendimtar”, thotë Richard Betts nga Zyra Meteorologjike në Britani, autori kryesor i një punimi të ri mbi këtë çështje me Universitetin Exeter, punim që është botuar në revistën ‘Nature’.

“Pa një marrëveshje e cila do të sqaronte përfundimisht se çfarë do të vlerësohej si tejkalim i rritjes së temperaturave prej 1.5 gradë Celsius, ne rrezikojmë të shpërqëndrohemi dhe të hutohemi pikërisht në kohën kur është më urgjente që të merren masa për të shmangur pasojat më të këqija të ndryshimeve klimatike”, shtoi ai.

Zoti Taalas nga OBM thotë se sido që të jetë rasti, bota po shkon padyshim drejt tejkalimit të kësaj shifre.

“Ne po shkojmë drejt rritjes së ngrohjes nga 2.5 deri në 3 gradë dhe kjo do të thotë se do të shohim ndikime të mëdha negative të ndryshimeve klimatike”, thotë zoti Taalas, duke treguar humbjen e akullnajave dhe rritjen e nivelit të detit përgjatë “mijëra viteve të ardhshme”.

Koha ndërmjet viteve 2015 deri më 2023 ishte më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë, thotë Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM). Për hartimin e gjetjeve të raportit janë përfshirë llogaritjet deri në muajin tetor, por raporti thotë se dy muajt e fundit nuk ka të ngjarë të jenë kohë e mjaftueshme që të ndryshojnë rezultatin dhe se viti 2023 padyshim do të jetë një vit me nxehtësi historike.

Megjithatë, ka “disa shenja shprese” duke përfshirë futjen më të madhe në përdorim të energjive të rinovueshme dhe makinave elektrike, të cilat ndihmojnë në zvogëlimin e sasisë së karbonit që derdhet në atmosferë, duke bllokuar nxehtësinë nga brenda”, thotë zoti Taalas.

Ai thotë se mesazhi i tij për pjesëmarrësit në konferencën e OKB-së për klimën, e njohur si COP28 është si vijon:

“Ne duhet të zvogëlojmë tejmase shfrytëzimin e qymyrit, naftës dhe gazit natyror për të qenë në gjendje të kufizojmë ngrohjen brenda kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Parisit”, thotë ai.

“Për fat të mirë, gjërat po lëvizin. Por, megjithatë, ne në vendet perëndimore, në vendet e pasura, ende po përdorim naftën dhe gazin natyror, por kemi zvogëluar pak a shumë përdorimin e qymyrit”.

“Pakësimi i konsumit të lëndëve djegëse të papërtëritshme – ky është çelësi i suksesit”./ VOA