Një agjent i emigracionit në Shtetet e Bashkuara ka qëlluar për vdekje një grua 37-vjeçare në qytetin e Minneapolis, duke shkaktuar përplasje të forta verbale mes autoriteteve lokale dhe administratës së presidentit Donald Trump lidhur me rrethanat e ngjarjes, raporton BBC. 

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) deklaroi se viktima, e identifikuar si Renee Nicole Good, ishte një “rebele e dhunshme” që kishte tentuar të përplaste me makinë agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE), duke e cilësuar të shtënën si akt vetëmbrojtjeje.

Megjithatë, autoritetet lokale kanë hedhur poshtë këtë version. Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, e akuzoi agjentin për përdorim të pamatur të forcës, duke deklaruar se “kjo ishte një situatë ku një agjent e përdori pushtetin në mënyrë të pakujdesshme dhe për pasojë humbi jetën një person”.

Frey u kërkoi gjithashtu zyrtarëve të ICE që të largohen nga qyteti, duke përdorur gjuhë të ashpër në deklaratat e tij publike.